Zyrtari i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Granit Sherifi, ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti me traktor.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, bëri të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
“Policia, në koordinim me prokurorinë, po e heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndërkohë, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar përmes një telegrami ngushëllimi, duke shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e pjesëtarit të saj.
Përmes një telegrami ngushëllimi, ky institucion ka bërë të ditur se lajmi për vdekjen e tij ka prekur rëndë të gjithë kolektivin, duke e cilësuar Sherifin jo vetëm si koleg, por edhe si mik dhe njeri me shpirt të madh.
“Sherifi ishte një model i përkushtimit dhe integritetit, i cili la gjurmë të pashlyeshme në mesin tonë”, thuhet në reagim.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, në emër të institucionit ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.
