Lajme

Bashkimi Evropian i jep Shqipërisë 920 milionë euro, 220 milionë janë tërhequr nga qeveria në maj 2026

Shqipëria do të përfitojë mbi 920 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nismë që synon të përshpejtojë zhvillimin ekonomik, të forcojë konkurrueshmërinë dhe të afrojë vendin me tregun e përbashkët evropian.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), deri në maj të vitit 2026 Shqipërisë i janë disbursuar rreth 212.8 milionë euro nga kjo paketë, përmes granteve dhe kredive me kushte të favorshme.

Mbështetja financiare është parashikuar të shtrihet në disa sektorë strategjikë, duke përfshirë infrastrukturën, transportin, zhvillimin e bizneseve, punësimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Një pjesë e rëndësishme e investimeve synon modernizimin e rrjetit rrugor dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, duke krijuar kushte më të mira për aktivitetin ekonomik dhe lidhjet tregtare me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian.

Në fokus të planit është gjithashtu mbështetja për sipërmarrjet vendase, nxitja e investimeve dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Përmes këtyre ndërhyrjeve, synohet rritja e produktivitetit dhe përmirësimi i aftësisë konkurruese të ekonomisë shqiptare.

Një tjetër drejtim i financimit lidhet me modernizimin e administratës dhe shërbimeve publike, me synimin për të krijuar institucione më efikase dhe procedura më të shpejta për qytetarët dhe bizneset.

Plani i Rritjes synon gjithashtu të forcojë integrimin ekonomik të Shqipërisë me tregun evropian, duke lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe duke mbështetur përafrimin me standardet e BE-së.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, përfitimet e pritshme nga kjo paketë përfshijnë më shumë investime, infrastrukturë më të zhvilluar, mundësi të reja punësimi dhe shërbime më cilësore.

Megjithatë, shuma prej mbi 920 milionë eurosh përfaqëson mbështetjen financiare të parashikuar për Shqipërinë dhe jo fondet e disbursuara në tërësi. Deri në maj 2026, disbursimet e raportuara arrinin në rreth 212.8 milionë euro.

Të Ngjashme