Lajme

Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë – viktimën dyshohet se e joshën për të blerë mjaltë, më pas e plagosën dhe e rrëmbyen

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Vidosav Mitrovicit, nën dyshimin se ndihmoi persona të tjerë në plagosjen dhe rrëmbimin e Milan Vukasinovicit, i cili më pas dyshohet se u dërgua në territorin e Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

Aktakuza ndaj Mitrovicit është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, nga një datë e pacaktuar deri më 1 nëntor 2025, i pandehuri dyshohet se me dashje ka ndihmuar persona të tjerë në kryerjen e veprës penale.

Mitrovici dyshohet se gjatë paradites së 1 nëntorit kishte fotografuar automjetin e të dëmtuarit, Milan Vukasinovic, pranë shtëpisë së tij, ndërsa fotografitë ia kishte dërguar personit me inicialet A.F.

Më pas, Vukasinovic ishte kontaktuar dhe ishte dakorduar që të shkonte në një lokacion të caktuar në fshatin Kapuricë të Leposaviqit, me qëllim që të blinte mjaltë.

Pasi i dëmtuari ishte nisur drejt lokacionit me automjetin e tij të tipit “Niva”, Mitrovici dyshohet se përmes telefonit e kishte njoftuar A.F.-në se ai ishte nisur në drejtim të kufirit.

Sipas Prokurorisë, kur Vukasinovic kishte arritur në lokacionin e caktuar, persona ende të panjohur e kishin plagosur dhe rrëmbyer, duke e dërguar më pas në territorin e Serbisë.

Mitrovici akuzohet gjithashtu se në shtëpinë e tij në fshatin Leshak të Leposaviqit mbante pa autorizim një pushkë gjuetie me dy tyta, një tytë të armës së gjatë, një jelek gjuetie me 28 fishekë, si dhe 11 fishekë të tjerë.

Armët dhe municioni ishin sekuestruar gjatë kontrollit policor.

Gazeta Sinjali kishte raportuar në dhjetor të vitit të kaluar për arrestimin e Mitrovicit dhe aksionin e zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda.

Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij ishin sekuestruar në cilësi të provave materiale nëntë telefona mobilë, një laptop, tri dokumente të formatit A4, një pushkë gjuetie, 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Mitrovicit i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të Ngjashme