ShowBizzz

Akuza për falsifikim dokumentash/ Prokuroria nuk pranon pafajësinë e Luiz Ejllit, bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Edhe pse një vit më parë u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, fati ligjor i këngëtarit Luiz Ejlli mbetet ende i hapur.

Prokuroria ka kundërshtuar vendimin e pafajësisë, duke paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, ku çështja pritet të shqyrtohet më 24 nëntor dhe relator është caktuar gjyqtari Sokol Binaj.

Luiz Ejlli u akuzua për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, kryer në bashkëpunim.

Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës kur kishte humbur licencën e noterit, ai kishte përdorur vulën noteriale për të hartuar një deklaratë që justifikonte burimin e një shume prej 210 mijë eurosh, në favor të shtetasit Fatmir Avdurramani.

Më 2 tetor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor Ejllin dhe e dënoi me një vit burgim.

Ndërkohë, bashkëpandehuri i tij, Fatmir Avdurramani, u dënua me 18 muaj burgim. Por më 8 maj 2025, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke shpallur të pafajshëm të dy të pandehurit.

Prokuroria e Apelit depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar shqyrtimin e vendimit të pafajësisë.

Të Ngjashme