Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka bërë me dije, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se bashkëpunimi në kohë reale mes autoriteteve shqiptare dhe amerikane ka ndihmuar në ndalimin e një shtetasi ukrainas të shpallur në kërkim në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Sipas ambasadës amerikane, pas shkëmbimit të informacionit me Njësinë e Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Policia e Shtetit arrestoi shtetasin ukrainas Anatolii Streletskyi.
Ai kërkohej nga autoritetet në Kiev, nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike si pjesë e një organizate kriminale. Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët ukrainas për nisjen e procedurave të ekstradimit.
“Bashkëpunimi në kohë reale përtej kufijve ndihmoi në ndalimin e një të dyshuari në kërkim në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.
Ambasada thekson se ky operacion është një shembull i bashkëpunimit mes autoriteteve për shkëmbimin e informacionit dhe luftën kundër krimit transnacional.
“Kështu vihet në jetë partneriteti ynë: duke shkëmbyer informacion, duke mbështetur autoritetet e zbatimit të ligjit dhe duke punuar së bashku për të luftuar krimin transnacional dhe për të garantuar sigurinë e komuniteteve tona”, thuhet më tej në postim.
