Lajme

Rizvanolli publikon foto të minatorëve që u bllokuan në Stan Tërg

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka falënderuar ekipet e “Trepçës”, KOSTT-it dhe të gjithë ata që kontribuuan në nxjerrjen e 63 minatorëve dhe në përballimin e avarisë në minierën e Stan Tërgut.

Rizvanolli, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka konfirmuar se të gjithë minatorët që mbetën të bllokuar në minierë kanë dalë në sipërfaqe. Sipas saj, minatori i fundit është nxjerrë në orën 02:50 të mëngjesit.

“Të gjithë minatorët kanë dalë në sipërfaqe, të fundit në orën 02:50 të mëngjesit, pas rikthimit të furnizimit me energji në minierë. Ndërrimi i parë ka nisur punën normalisht.

Falënderoj ekipet e Trepçës, KOSTT-it dhe të gjithë ata që kontribuuan për përballimin e situatës”, ka shkruar Rizvanolli.

Sipas njoftimit zyrtar të ndërmarrjes “Trepça” Sh.A., avaria ka ndodhur më 7 tetor 2026, rreth orës 19:30, në trafon “Tuneli i Parë”, përkatësisht në sistemin 35 kV.

Në momentin e ndërprerjes së energjisë elektrike, 63 minatorët ndodheshin në ndërrimin e dytë të punës, i cili ishte paraparë të përfundonte në orën 23:00.

Pas incidentit, 54 minatorë kanë arritur të dalin në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë kanë qëndruar brenda minierës deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Furnizimi me energji elektrike në minierë është rikthyer në orën 02:30 të mëngjesit të 8 tetorit, ndërsa nëntë minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50.

Ndërkohë, “Trepça” ka bërë të ditur se ekipet teknike po punojnë për sanimin e dëmtimeve të shkaktuara nga avaria dhe rikthimin e plotë të funksionimit të njësive të prekura.

Të Ngjashme