Në seancën e sotme plenare pritet të diskutohet projektligji për Reformën Territoriale, i propozuar nga Partia Socialiste, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46.
Seanca pritet të shoqërohet me tensione, pasi opozita, e cila e ka kundërshtuar vazhdimisht hartën e re territoriale, ka paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë ambienteve të Kuvendit.
Për shkak të protestave të paralajmëruara, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie. Efektivë të shumtë janë pozicionuar në të gjitha hyrjet që të çojnë drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë, bashkitë e drejtuara nga opozita i kanë dërguar një letër Komisionit Europian, përmes së cilës kërkojnë që të mos lejohet miratimi i njëanshëm i Reformës Territoriale.
Por edhe brenda radhëve të socialistëve duket se projektligji nuk gëzon mbështetjen e të gjithë deputetëve. Sipas gazetares së RTSH-së, Rugova Dunisha, propozimi për një hartë të re territoriale, që parashikon 15 bashki më pak, nuk ka marrë mbështetjen e deputetëve Vullnet Sina dhe Erion Braçe.
Për miratimin e projektligjit, Partisë Socialiste i nevojiten 84 vota. Në seancën e sotme pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
