Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, është takuar me ipeshkvin Dodë Gjergji, me të cilin ka diskutuar për rolin dhe gjendjen aktuale të Kishës Katolike në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ambasadës Gjermane në Prishtinë, takimi ka vënë në pah partneritetin e kahershëm ndërmjet Gjermanisë dhe Kishës Katolike në Kosovë, si dhe mbështetjen e rëndësishme dhe të vazhdueshme që ofrojnë Kisha Katolike në Gjermani dhe institucionet e lidhura me të.
Në qendër të bisedës ishte rëndësia e dialogut ndërfetar si themel për stabilitetin dhe paqen.
Ambasadori Rudolph dhe ipeshkvi Gjergji diskutuan gjithashtu për ndikimin e konferencës vjetore ndërfetare në Kosovë, të iniciuar nga Kisha Katolike, e cila vlerësohet si një nga shtyllat themelore për nxitjen e dialogut ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në vend.
“Së bashku, mbetemi të përkushtuar për forcimin e harmonisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore përmes respektit të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.
