Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president është vlerësuar si hap drejt zgjidhjes së krizës institucionale, por analistët kanë qëndrime të ndryshme nëse ai do të arrijë t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvend. Në emisionin “Debat” në RTK, Fatime Hajdari, Sadik Zeqiri, Ejup Gojnovci dhe Ibrahim Shala kanë folur për marrëveshjen, kandidaturën e Sejdiut dhe mundësinë e zgjedhjes së tij president.
Analistja Fatime Hajdari tha se dakordimi për emrin e kandidatit është hapi i parë i përmbyllur me sukses.
“Po. Mendoja që kjo faza e parë, e cila është dakordimi për emrin e një kandidati për president, sikur kaloi ose u përmbyll me sukses”, tha Hajdari.
Ajo vlerësoi se të dyja partitë janë marrë vesh në parim për kandidaturën e Sejdiut, duke përmendur përvojën e tij si konsull i Kosovës në Nju Jork, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe jurist në kabinetin e ish-presidentes Vjosa Osmani.
Hajdari tha se gjatë ditëve të fundit është diskutuar mundësia që Sejdiu të mos e pranojë kandidaturën, por sipas saj, “duket që të dyja palët e kanë seriozisht”.
Ajo theksoi se tani mbetet të shihet nëse kandidatura do t’i sigurojë 80 votat e nevojshme në Kuvend.
“Fatkeqësisht, në bazë të asaj që pasuan pas këtij takimi, ka emra të deputetëve të cilët edhe në të kaluarën janë përmendur pak a shumë si destruktivë, të cilët mund ta prishin këtë proces”, deklaroi Hajdari.
Sipas saj, dështimi për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat i konsideroi “të tërësisht të panevojshme, të kushtueshme dhe mbi të gjitha na humbin kohë”.
Kurse analisti Sadik Zeqiri tha se marrëveshja për kandidaturën e Sejdiut është e mirë, por shprehu skepticizëm se ajo do të çojë në formimin e institucioneve.
“Sot kjo marrëveshje është arritur me Lidhjen Demokratike dhe nga sot përgjegjës dhe përgjegjësi ka marrë edhe Lidhja Demokratike për të zgjedhur dhe me i krijuar institucionet e vendit”, tha Zeqiri.
Ai tha se kandidatura e Sejdiut mund të përballet me pengesa në Kuvend, duke përmendur deklarimet e disa deputetëve të LDK-së se nuk do ta votojnë atë.
“Unë mendoj që është një marrëveshje e mirë, por e cila ka gjasa që do të dështojë qysh në rundin e parë nëse shkohet në votim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Zeqiri.
“Prandaj unë jam skeptik që profesori Sejdiu do të zgjedhet president i Republikës së Kosovës”, tha ai.
Zeqiri vlerësoi se në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Dhe nga kjo, mendoj që vendi do të shkojë më përpara në zgjedhje se sa do të kemi të konstituim dhe konsolidojmë institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Zeqiri.
Ndërkaq, analisti Ejup Gojnovci tha se emri i Sejdiut ka marrë përkrahje të gjerë, veçanërisht në media dhe në rrjetet sociale, ndërsa kundërshtimet e disa partive opozitare, sipas tij, lidhen më shumë me procesin dhe marrëveshjen politike.
“Më tepër ata që e kundërshtuan, e kundërshtuan procesin dhe emrin për postin e presidentit, jo emrin e presidentit potencial, zotëriut Sejdiu”, u shpreh ai.
Sipas Gojnovcit, kundërshtimi i opozitës lidhet edhe me mundësinë që Vetëvendosje dhe Albin Kurti të vazhdojnë të udhëheqin Qeverinë.
“Kjo nënkupton që ata janë kundër zgjedhjes së një kandidature. Mos përkrahja e kandidatit për president nuk është një mospërkrahje për një president ose për një kandidat të caktuar. Është një mospërkrahje nga subjektet opozitare kundër fitores së Lëvizjes Vetëvendosje dhe potencialisht udhëheqjes së qeverisë edhe për një mandat nga zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, deklaroi Gojnovci.
Ai kritikoi gjithashtu zgjatjen e krizës institucionale në Kosovë.
“Në këtë ecjen tonë pothuajse më tepër se një vit e gjysmë pa institucione, i jepet jo vetëm një shije e keqe, por edhe njëfarë lloj konfirmimi i moskokëçarjes së subjekteve politike për stagnimin dhe për rrezikun që paraqet për Kosovën mospasja e institucioneve fuqiplota”, tha ai.
Duke folur për profilin e Sejdiut, Gojnovci e vlerësoi atë si kandidat me përvojë në diplomaci dhe institucione.
“Zoti Sejdiu, nga background-i i tij, vjen me CV të pasur. Natyrisht edhe shërbimet e tij në ambasadat e Kosovës, në Turqi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bëjnë një kandidat të mirë”, tha Gojnovci.
Sipas tij, lidhjet me SHBA-në janë veçanërisht të rëndësishme për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
“Ne kemi nevojë për një president i cili ka një lidhje direkte, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi ai.
“Është me patjetër që Republika e Kosovës ta ketë një personalitet në krye të shtetit, i cili ka një lidhje direkte dhe, kushtimisht po e them në formë figurative, një derë të hapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi Gojnovci.
Ndërkohë, analisti dhe profesori Ibrahim Shala e cilësoi si “lajm të mirë” arritjen e marrëveshjes për një kandidat të përbashkët.
“Është lajm i mirë që dy partitë kanë arritur te emri i përbashkët, te personi i caktuar, zoti Bekim Sejdiu. Tash jemi duke i folur për personin konkret”, tha Shala.
Ai vlerësoi se marrëveshja nuk ka qenë e lehtë për t’u arritur, pasi palët kanë diskutuar edhe për kriteret dhe profilin që duhet ta ketë presidenti.
“Nuk ka qenë vetëm çështje e procedurave, por edhe përzgjedhja dhe karakteristikat që këta i kanë bërë, tiparet që duhet t’i ketë dhe kushtet që duhet t’i ketë presidenti”, u shpreh Shala.
Sipas tij, kandidatura e Sejdiut duket se është pritur mirë edhe nga opinioni publik dhe opozita.
“Siç duket, kanë bërë punë të mirë, sepse shihet edhe nga reagimet e mediave, individëve, po edhe nga deklaratat e përmbajtura të partive opozitare. Do të thotë, është qëlluar me personin, çfarë po i duhet konstelacionit të tashëm dhe raporteve pozitë-opozitë”, deklaroi Shala.
Sa i përket votave në Kuvend, Shala tha se pjesëmarrja e deputetëve në seancë është e rëndësishme për procesin.
“E rëndësishme është se ata do të marrin pjesë në parlament, do ta bëjnë kuorumin”, tha ai.
“Nuk duhet të presim ne që të gjithë anëtarësia e LDK-së, deputetët e LDK-së, të jenë për zotin Sejdiu. Ata nuk kanë qenë unikë as për zgjedhjen e kryetarit të partisë. E tash nuk mund të presim edhe për kandidatin për president”, tha Shala.
Ai beson se ditët në vijim do të jenë vendimtare për sigurimin e votave.
“Procesi ka avancuar. Nga sot në mesditë jemi në një situatë krejt tjetër politike. Tash përqendrimi është te votat dhe si do të bëhen votat”, theksoi Shala.
Sipas tij, liderët e dy partive mund t’u japin edhe disa ditë hapësirë deputetëve dhe partive opozitare për të reflektuar.
“Do t’ju jepet mundësia edhe të reflektojnë deputetëve veç e veç si individë, që mund të analizojnë qëndrimin e tyre dhe të kenë edhe veprime personale në ditën kur do të mbahet seanca për përzgjedhjen e presidentit”, tha ai.
Shala u shpreh optimist se procesi do të përmbyllet me zgjedhjen e presidentit.
