Analistët politik, Artan Nimani dhe Basri Muja duke komentuar reagimin e Vjosa Osmanit pas dështimit të shkarkimit të Lumir Abdixhikut nga kreu i partisë, kanë vlerësuar se këto dy figura do të vazhdojnë bashkë.
Për Nimanin, Osmani ka qenë e involvuar në Kuvendin e sotëm.
“Edhe atë fitoren që Abdixhiku e kishte në janar e kishte falë mbështetjes së Osmanit. Edhe ky Kuvend është thirr për shkak të hapësirës që i është dhënë znj.Osmani, ka qenë një prej elementeve. Absolutisht ishte e involvuar. Osmani ka qenë e involvuar edhe si presidente. Është një rikthim borxhi që ja ka bë Abdixhikut”, ka thënë ai në “InfoNata” në Tëvë1.
Ndërsa, Basri Muja ka thënë se Osmani do të synojë poste të larta në LDK, ku sipas tij më së paku do të jetë nënkryetare.
“Kanë qenë ekip dhe pres që të kthehet pjesë e strukturave të ngushta të LDK-së. Nuk është person politik që pajtohet me pozita të ulëta dhe sigurisht do ta tentojë një pozitë të lartë dhe do të jetë më së paku nënkryetare e LDK-së”, ka thënë Muja.
Abdixhiku i ka shpëtuar shkarkimit nga posti i kryetarit të LDK-së.
