Moderatorja Arbana Osmani ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me protestat studentore dhe përplasjet me policinë në Shqipëri.
Megjithatë, mesazhi i saj nuk është pritur mirë nga një pjesë e ndjekësve, të cilët e kanë kritikuar për heshtjen gjatë ditëve të para të protestave.
Përmes një postimi në Instagram, Arbana shpjegoi se kishte zgjedhur të mos shprehej menjëherë, pasi dëshironte fillimisht të kuptonte më mirë zhvillimet.
“Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh”, shkroi moderatorja, duke theksuar se ngjarjet në vend nuk duhen trajtuar si një reality show, me tifozllëk apo për të mbledhur pëlqime në rrjetet sociale.
Si nënë e tre fëmijëve, ajo shprehu shqetësimin për të rinjtë që po përballen me dhunën, por edhe për dëmet e shkaktuara gjatë protestave. Në fund të reagimit, Arbana iu drejtua kryeministrit Edi Rama me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje”.
Por shpjegimi i saj për heshtjen disaditore nxiti një sërë komentesh kritike.
“Më mirë mos të kishe folur fare!”, shkroi një ndjekëse, ndërsa një tjetër reagoi me ironi: “Po shumë herët reagove, o Bana”.
Një komentues tjetër e krahasoi kohën që moderatorja kishte marrë për të reflektuar me mënyrën e shpalljes së fituesit në “Big Brother VIP”: “E ke ngatërruar me suspancën e shpalljes së fituesit BBV, këtë reflektimin kaq të gjatë më duket!”.
Mes kritikëve ishte edhe influenceri Johny Dega, i cili komentoi: “Shumë herët u kujtove, marrë parasysh që populli shqiptar të bëri milionere”.
Disa ndjekës ngritën gjithashtu çështjen e dallimeve ekonomike dhe sociale, duke argumentuar se familjet e personazheve të njohur nuk përballen domosdoshmërisht me të njëjtat vështirësi si qytetarët e zakonshëm.
“Sa shumë kohë të është dashur për ta kuptuar një realitet që e vuan e gjithë Shqipëria çdo ditë?”, shkroi një tjetër komentues.

Reagimi i Arbana Osmanit ka sjellë kështu një debat edhe për rolin e figurave publike gjatë protestave, veçanërisht për pritshmëritë e ndjekësve që personazhet e njohur të shprehin qëndrimet e tyre sa më herët.
