Lajme

Arrestohen tre persona në Mitrovicë, synuan tjetërsimin e 21 pronave të paluajtshme

Tre persona janë arrestuar dhe ndaluar për 48-orë, pasi synonin tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave të paluajtshme.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, veprimi është parandaluar pas një aksioni të përbashkët me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësinë Rajonale në Mitrovicë Veri.

“Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, ekziston dyshimi i bazuar se personat e përfshirë, përmes përdorimit të një dokumenti identifikues të falsifikuar dhe dokumentacionit tjetër përcjellës, kanë tentuar të sigurojnë përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial për disponimin mbi shitblerjen me njëzetenjë prona të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pa vullnetin e pronarit legjitim. Dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, ndërsa fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin përkatës”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë..

Gjatë kontrollit të realizuar në pronën e njërit prej personave të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm. Prejardhja, autenticiteti dhe qëllimi i përdorimit të këtyre dokumenteve do të jenë objekt i hetimeve të mëtejshme./teve1.info/

 

Të Ngjashme