Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka emëruar Arta Avdiun në pozitën e drejtoreshës së kanalit televiziv në gjuhën shqipe të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), si dhe Rilind Gërvallën në pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për çështje programore dhe editoriale të Radiotelevizionit të Kosovës.
Sipas njoftimit, Bordi ka shqyrtuar rekomandimet e drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së lidhur me pozitat për anëtarët e lartë të menaxhmentit të RTK-së.
“Pas shqyrtimit të rekomandimeve përkatëse, Bordi emëroi Arta Avdiun në pozitën e Drejtoreshës së Kanalit Televiziv në gjuhën shqipe të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe Rilind Gërvallën në pozitën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për çështje programore dhe editoriale të Radiotelevizionit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Bordit.
Po ashtu, Bordi shqyrtoi çështjen lidhur me përbërjen e Komitetit të Auditimit të RTK-së dhe emëroi anëtarin e Bordit Flokart Aliun anëtar të brendshëm të Komitetit të Auditimit në RTK, si dhe shqyrtoi dokumentacionin lidhur me mjetet themelore jashtë përdorimit dhe miratoi propozimin për shitjen e tyre, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Bordi i RTK-së vlerëson se plotësimi i pozitave të menaxhmentit të lartë është hap i rëndësishëm për forcimin e funksionimit profesional të transmetuesit publik dhe mbetet i përkushtuar për të mbështetur vazhdimin e procesit të kompletimit të strukturave drejtuese, si dhe për mbështetjen dhe mbikëqyrjen e menaxhmentit në përmbushjen e misionit të RTK-së.
