Avokati i Popullit Endri Shabani ka vizituar në burgun e Pojskës 34-vjeçaren me iniciale D.S., e cila u vendos në kushtet e burgimit në këtë institucion 1 ditë më parë. Ditën e sotme për shkak të moshës së fëmijës vetëm 7 muajsh, i cili ndodhet me nënën në këtë IEVP, ka bërë që Avokati i Popullit të reagojë për të parë nga afër situatën.
Shabani u shpreh se është çelur një hetim mbi mënyrën se si është zhvilluar procedura e burgosjes së shtetases D.S. në kushtet kur ajo ka 3 fëmijë të mitur dhe një vendim gjykate që ka marrë formë të prerë pas 49 ditësh, kur duhen vetëm 2 javë çfarë do t’i jepte asaj mundësinë për të përfituar nga amnistia.
Shabani shtoi se ka dyshime se mund të jenë bërë shkelje dhe pasi të përfundojë hetimi do të kërkohet që të merren masa në rast të shkeljeve.
Ai shkoi më tej kur tha se ditën e nesërme do të ketë një seancë gjyqësore për rastin në fjalë dhe rivlerësimin e dënimit dhe shtoi se shpreson zonja do të lirohet përpara mesditës së nesërme.
