Lajme

Bajqinovci për PDK-në dhe LDK-në: A i keni emrat, apo vetëm arsyetime?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, u ka bërë thirrje LDK-së dhe PDK-së që të propozojnë tre emra për president mbipartiak.

Në një video-mesazh, Bajqinovci tha se nëse opozita paraqet kandidatët e saj, atëherë Vetëvendosje është e gatshme të tërheqë emrat e propozuar.

“LDK dhe PDK, propozoni tre emra për president mbipartiak ashtu siç vetë keni deklaruar. Tash është momenti, dërgoni tre emra. Nëse i keni, ne i tërheqim emrat tanë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Vetëvendosje po ofron zgjidhje, ndërsa opozita po i shmanget përgjegjësisë.

“Ne po ofrojmë zgjidhje, ju po ikni prej saj. Shumë e thjeshtë është, a keni emra apo vetëm arsyetime?”, është shprehur Bajqinovci.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar se përgjegjësia për situatën aktuale është te opozita.

“Mos e dërgoni vendin në zgjedhje, topi është te ju”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë, sot, në mëngjes, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët – konsensual, për president.

Megjithatë, PDK-ja tashmë e ka refuzuar këtë propozim.

Ndërsa, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti garanci për sigurimin e 66 votave nga partia e tij në rast se LDK-ja propozon Vjosa Osmanin për presidente.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.

Të Ngjashme