Bebe Rexha ka ndarë një dedikim prekës për ikonën e muzikës country, Dolly Parton, pas lajmit për ndarjen e saj nga jeta në moshën 80-vjeçare.
Artistja shqiptare publikoi në Instagram një fragment nga kënga e tyre e përbashkët, “Seasons”, pjesë e albumit të saj “Bebe”, të publikuar në vitin 2023.
Përkrah videos, Rexha shkroi një mesazh të gjatë, në të cilin kujtoi emocionin e bashkëpunimit me një prej artisteve që kishte admiruar prej vitesh.
“Të këndoja me ty ishte një nga ato ëndrra që nuk besoja vërtet se do të bëhej realitet, derisa ndodhi”-shkroi Rexha.
Ajo kujtoi edhe momentin kur kishte marrë letrën e firmosur nga Parton, duke treguar se ishte mahnitur nga mënyra se si një artiste kaq legjendare arrinte t’i bënte të tjerët të ndiheshin të vlerësuar.
Por, sipas Rexhës, ajo që do të kujtojë më shumë nuk ishte vetëm zëri apo talenti i Parton, por energjia, eleganca, mirësia dhe humori i saj.
Me humor, këngëtarja kujtoi edhe takimin në sheshxhirim, duke shkruar se ishte habitur nga fakti që Parton kishte një korse edhe më të ngushtë dhe taka edhe më të larta se të sajat.
Rexha vlerësoi gjithashtu mënyrën se si Parton kishte jetuar gjithmonë pa kërkuar falje për atë që ishte.
“U tregove brezave të grave se ka forcë në të diturit saktësisht se kush je”-shkroi ajo.
Për Bebe Rexhën, “Seasons” do të mbetet përgjithmonë një kujtim i veçantë, pasi zëri i Dolly Parton është tashmë pjesë e një prej këngëve më personale të karrierës së saj.
“Disa njerëz i takon dhe i kujton. Disa të tjerë lënë një pjesë të tyre me ty përgjithmonë. Ti ishe një prej tyre”-shkroi Rexha.
Në fund të dedikimit, ajo falënderoi edhe Danny-n, personin që e kishte ndihmuar në realizimin e bashkëpunimit, duke kujtuar rëndësinë që kishte për Parton.
Bashkëpunimi kishte një domethënie të veçantë për Rexhën, e cila ishte rritur duke dëgjuar muzikën e Dolly Parton dhe e kishte konsideruar prej kohësh një ëndërr të punonte me të.
Tashmë, “Seasons” merr një kuptim edhe më emocional për këngëtaren shqiptare: një këngë që jo vetëm bashkoi dy artiste, por do të mbetet si kujtim i përhershëm i një takimi që Rexha e kishte ëndërruar prej vitesh.
