LifeStyle

Këshilla – Pse nuk duhet t’i heshtni konfliktet me nënën? Përplasjet që mund të forcojnë marrëdhënien nënë-bijë

Nga Amelie Breitenhuber, dpaPërplasjet me nënën mund të duken si skenari më i keq për marrëdhënien mes tyre. Megjithatë, një debat mund të jetë fillimi i diçkaje të shëndetshme: vendosjes së kufijve, qartësisë dhe ndjenjës më të vogël të fajit, shprehet një këshilltare familjare.

Nëna vjen sërish për vizitë pa paralajmëruar. Për të dhjetin vit radhazi, ajo të dhuron pizhame për ditëlindje. Këshillat e saj të pakërkuara për mënyrën e rritjes së fëmijëve të irritojnë. Por, pavarësisht se çfarë bën që të shqetëson, ti e mban veten dhe nuk thua asgjë.

Shumë vajza të rritura, të cilat nuk duan ta vënë në rrezik marrëdhënien me nënën, shmangin përballjet me të, nuk flasin hapur për nevojat e tyre dhe i lënë mënjanë shqetësimet personale.

Megjithatë, konfliktet nuk janë shenjë e një marrëdhënieje jofunksionale, thotë Christiane Yavuz, këshilltare familjare, trajnere dhe ndërmjetëse. Përkundrazi, ato mund të tregojnë se diçka në marrëdhënien tuaj duhet të ndryshojë.

“Konfliktet janë një tregues, për shembull, se rolet e vjetra nuk përshtaten më dhe kjo nuk është një problem, por një shenjë zhvillimi”, shprehet ajo.

Nuk është e pazakontë që shumë fëmijë, veçanërisht vajzat, të shmangin konfliktet me nënën e tyre. Në fund të fundit, marrëdhënia me të është zakonisht e para dhe një nga marrëdhëniet më të rëndësishme në jetë.

“Kjo marrëdhënie është e ngarkuar emocionalisht dhe është më e vështirë të krijohen raporte të ekuilibruara, sepse afërsia mes jush është shumë e madhe”, vëren Yavuz, autore e një libri mbi marrëdhëniet nënë-bijë.

Shmangia e vazhdueshme e konflikteve “për hir të paqes dhe harmonisë”, paralajmëron ajo, mbart në rastin më të keq rrezikun e mohimit të vetvetes. “Konfliktet më pas zhvendosen në një betejë të brendshme. Ti përballesh me to brenda vetes, duke kuptuar se edhe një herë nuk the atë që në të vërtetë dëshiroje të thoje.”

Në thelb, thotë Yavuz, çështja shpesh është: “Ku janë kufijtë e mi dhe a respektohen ata?” një pyetje që shumë gra nuk ia kanë bërë kurrë vetes.

“Për shkak të roleve gjinore të përcaktuara nga shoqëria, vajzat shpesh mësojnë që në moshë të vogël të përshtaten me familjen, duke ruajtur harmoninë dhe duke u konformuar me të tjerët. Kjo ua vështirëson zhvillimin e aftësisë për t’u përballur me konfliktet.”

A mund të fitohet megjithatë kjo aftësi? Po. Hapi i parë, thotë Yavuz, është ndryshimi i mënyrës së të menduarit, duke shqyrtuar qëndrimin ndaj konflikteve, pasi shumë gra reagojnë ndaj tyre me tension të brendshëm dhe refuzim.

Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për këtë qëndrim, në mënyrë që të pranojmë pa paragjykim se konfliktet ekzistojnë dhe se ato jo vetëm që sjellin shqetësime, por kanë edhe një funksion të caktuar.

“Konfliktet nuk lindin sepse je e paaftë apo ke bërë diçka gabim, por sepse ato janë si dritat paralajmëruese në makinën tënde, të cilat tregojnë se ka diçka që duhet ta shqyrtosh nga afër”, thotë Yavuz.

Nëse e përvetëson këtë mënyrë të të menduarit, do të jesh në gjendje t’i përballosh konfliktet ndryshe: duke i shmangur më pak, duke vepruar më me vetëdije, më krijueshëm dhe me më shumë vetëbesim. Yavuz e quan këtë “dashuri për konfliktin” dhe ekzistojnë disa mënyra për ta arritur atë:

1. Sqarimi i vetvetes: Mos e nis menjëherë një bisedë konfrontuese. Fillimisht, përcakto për veten se çfarë dëshiron, çfarë të bën mirë dhe ku ndodhen kufijtë e tu.

2. Vër në pikëpyetje idealet: Pritshmëritë shoqërore për dashurinë dhe mirënjohjen ndaj prindërve shpesh janë të rrënjosura thellë dhe ushtrojnë shumë presion. Ndihmon shqyrtimi i tyre në mënyrë kritike dhe refuzimi i tyre nëse nuk përputhen me realitetin që përjeton. Gjithashtu, është e dobishme ta shohësh në mënyrë pragmatike marrëdhënien tënde me nënën.

3. Mos u ndiej fajtore: Mendime të tilla si “Nuk duhet ta bëj këtë” ose “Nëna ime gjithmonë ka pasur qëllime të mira” nuk të ndihmojnë. Të marrësh seriozisht këndvështrimin tënd nuk është mungesë mirënjohjeje, por është e nevojshme për ta menaxhuar marrëdhënien me siguri dhe vendosmëri.

4. Zhvillo bisedat për konfliktet në mënyrën e duhur: Qëndro e palëkundur në qëndrimin tënd, shprehi qartë nevojat e tua, kupto se cilat janë përgjegjësitë e tua dhe prano se nuk mund ta kontrollosh reagimin e nënës.

5. Mëso të përballosh mosmarrëveshjet: Nëna dhe vajza nuk kanë pse të jenë shoqet më të mira. “Të pranosh se marrëdhënia juaj mund të jetë në një fazë riorganizimi mund të bëjë një ndryshim të madh”, thotë këshilltarja familjare.

A ia vlen të bëhen të gjitha këto? Sipas Yavuz, patjetër që po. Në këtë mënyrë, vajzat e rritura mësojnë të përcaktojnë kufijtë e tyre, t’i qartësojnë dhe t’i komunikojnë ata.

“Kur ndërton marrëdhënien me nënën tënde, mund të praktikosh gjithçka që të nevojitet për shëndetin tënd emocional. Kjo do të të ndihmojë edhe në shumë fusha të tjera të jetës”, shprehet ajo, pasi në këtë marrëdhënie përballesh me emocionet, konfliktet, komunikimin dhe kufijtë personalë.

Natyrisht, zgjidhja e konflikteve nuk është një rrugë me një drejtim të vetëm. Edhe nënat që nuk reagojnë menjëherë në mënyrë mbrojtëse kur vajza e tyre e rritur shpreh pakënaqësitë, por përkundrazi dëgjojnë dhe i pranojnë ato, mund ta forcojnë marrëdhënien.

Të Ngjashme