Lajme

Bërxulli: Abdixhiku po lan hesapet brenda partisë, po i bën kundërshtarët e Sejdiut tabelë qitjeje

Profesori universitar Dashamir Bërxulli ka kritikuar vendimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të bërë publikë emrat e gjashtë deputetëve të kësaj partie, të cilët në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiu.

Bërxulli ka vlerësuar se publikimi i emrave të deputetëve nuk lidhet vetëm me çështjen e zgjedhjes së presidentit, por me përplasjet e brendshme në LDK.

“Duke sulmuar me emër dhe mbiemër disa nga anëtarët e LDK-së, nuk është me bërë negociata për president, por është me larë hesapet brenda partisë tënde. Me dalë edhe me i përmend me emër e mbiemër njerëz të cilët, edhe pse janë publikë dhe kanë folur vetë për atë punë, është për t’i bërë tabelë qitjeje para opinionit publik, që këta nuk e duan të mirën e Kosovës, të LDK-së e nuk duan formimin e institucioneve”, ka deklaruar Bërxulli.

Profesori universitar ka thënë se, sipas tij, përplasja mes Abdixhikut dhe gjashtë deputetëve që kanë dalë kundër qëndrimit të partisë për zgjedhjen e presidentit nuk ka të bëjë vetëm me kandidaturën për president, por me raportet e brendshme në LDK.

Ai ka thënë se nuk e kupton pse Abdixhiku nuk ka thirrur Avdullah Hotin në takime, por Vjosa Osmanin.

“Kam idenë se, që nga Abdixhiku, Avdullah Hoti e të tjerët, nuk e kanë më çështjen te presidenti, por te partia. Me mënyrën si i bëjnë gjërat brenda. Për shembull, pse Abdixhiku nuk e mori Hotin në bisedime me Kurtin, por mori Vjosa Osmanin, nëse ata përfaqësojnë një grup brenda LDK-së, për të rritur magnitudën e dakordimit të mundshëm me LVV-në, që eventualisht do të mbetej një person që përfaqëson një grup tjetër brenda LDK-së? Por pse mori persona të cilët ishin në grupin e tij të ngushtë?”, ka thënë ai.

Bërxulli ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si Abdixhiku ka menaxhuar zhvillimet brenda partisë, duke thënë se kryetari i LDK-së nuk ka treguar, sipas tij, lidership të mjaftueshëm për t’i tejkaluar përçarjet.

“Në këto dinamika politike, për mua Abdixhiku nuk ka treguar lidership. Nuk ka ditur të gjejë një mënyrë për t’i sanuar problemet në parti me komunikim, duke i afruar njerëzit dhe duke ndërtuar një strategji të caktuar. Si duket, ndoshta ka qenë edhe para faktit të kryer, sepse çarjet kanë qenë aq të mëdha saqë ka qenë e pamundur ta bëjë dje”, ka deklaruar Bërxulli.

Ai ka thënë se është e panevojshme që një parti të shkojë në negociata për presidentin pa arritur paraprakisht një dakordim të brendshëm.

“Sidoqoftë, të shkosh në negociata, të flasësh për president, të biesh dakord për një person, ndërkohë që ti nuk ke rënë dakord paraprakisht me partinë tënde për personin, mendoj që kjo është goxha e panevojshme dhe kjo i duhej kursyer Kosovës”, ka përfunduar Bërxulli.

Të Ngjashme