Lajme

BKH zbarkon në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Sarandës! (Bastisen edhe zyrat e “ECO TAXI”, ja leja e Kumbaros që po hetohet)

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë duke ushtruar kontrolle në disa ambiente në qytetin bregdetar të Sarandës, duke përshirë shtëpinë e zëvendëskryetarit të Bashkisë Sarandë, Elton Dauti, dhe zyrën e tij.

Gjithashtu, janë ushtruar kontrolle dhe në ambientet e kompanisë “Eco Taxi”, e cila është në pronësi të ortakëve Kostandin Papa dhe Elton Dauti.

Deri tani, nuk ka një informacion zyrtar se cilat janë arsyet e këtyre kontrolleve dhe bastisjet në ambiente banimi e biznesi, por paraprakisht dyshimet bien mbi një leje të dhënë nga ish-ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, për trenat turistikë në Syrin e Kaltër.

Byroja Kombëtare e Hetimit po shqyrton procedurat që kanë paraprirë dhënien e lejes, dokumentacionin e paraqitur dhe kushtet në të cilat është autorizuar operimi i trenave turistikë në këtë destinacion turistik.

Në kushte të tilla, dyshohet se Prokuroria e Posaçme mund të ketë zbuluar elementë të favorizimit të një operatori të caktuar apo përfitime të tërthorta për familjarët e personave që mëngjesin e kësaj të enjte janë bërë subjekt i kontrolleve.

Çështja e trenit në Syrin e Kaltër është bërë objekt debati publik që në vitin 2024.

Deputetja Ina Zhupa ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë që ofron shërbimin, duke pyetur ministren e atëhershme Mirela Kumbaro për lidhjet e mundshme të nënkryetarit të Bashkisë Sarandë me aktivitetin.

Zhupa ngriti gjithashtu pretendimin se bashkëshortja e Elton Dautit mund të kishte interesa në biznesin që operonte trenin turistik, ndërsa kërkoi transparencë mbi procedurën e përzgjedhjes së kompanisë. Megjithatë, pritet që vetë SPAK të sqarojë kontrollet.

Të Ngjashme