Lajme

“Shefen e Shërbimit Sekret e kam shoqe të ngushtë!” – Ergys Agasi fliste me dy shtetas izraelitë për Vlora Hysenin, zbardhen mesazhet: Ajo do të takohet vetë dhe …

Detaje janë zbardhur nga vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, e cila akuzohet se ka ndihmuar me informacione sekrete Ergys Agasin teksa ndodhej në arrati. Një ditë më parë, Apeli i GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj.

Sipas dokumenteve gjyqësore që citon News24, në dosje përfshihen edhe komunikimet telefonike të Agasit me dy shtetas izraelitë, të identifikuar si Shalev I. dhe Srulik E.K., ku ai përmend njohjen e afërt me Hysenin dhe ndikimin që ajo mund të kishte.

Në një prej mesazheve, Agasi shprehet se e kishte shoqe të ngushtë drejtuesen e shërbimit sekret, ndërsa në një tjetër pretendon se ajo do të ndërhynte personalisht në një situatë në favor të tij.

“E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”, thotë Ergys Agasi në një prej komunikimeve me shtetasin Shalev I.

Ndërsa në komunikimin me shtetasin tjetër, Srulik E.K., Agasi i shkruan: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”.

Gjykata vlerëson se këto komunikime tregojnë ekzistencën e mundshme të një rrjeti ndërkombëtar në shërbim të interesave të grupit kriminal, duke rritur rrezikun që Vlora Hyseni, nëse do të ishte e lirë, të mund të përdorte kontakte dhe kanale jashtë kontrollit të autoriteteve.

“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasit me shtetasit me pseudonimet Shalev I., dhe Srulik E., të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e Shërbimit Sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese.”, thuhet në dokument.

Më herët, në dosjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) janë zbardhur edhe komunikime të drejtpërdrejta mes Agasit dhe Hysenit, ku flitej për persona që sipas tyre u donin të keqen.

Një ditë më parë, Hyseni u la në masën e arrestit në shtëpi nga Apeli i GJKKO. Ndaj saj, janë vendosur dy masa sigurie “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike” pasi dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin me informacione shtetërore teksa ndodhej në arrati. Vlora Hyseni dyshohet se ka kryer dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve sekrete.

Të Ngjashme