Lajme

Uji nuk arriti dot katin e djegur në Elbasan, kryebashkiaku i Elbasanit flet për momentin viral: Presioni i lartë mund të dëmtonte zjarrfikësin

Dje në rrjet u bënë virale pamjet e momentit kur një zjarrfikës në Elbasan tentonte që të shuante zjarrin që dogji pallatin pesë katësh, mirëpo presioni i ujit ishte aq i ulët saqë nuk arriti dot në katin që ishte në flakë.

Në lidhje me këtë momente ka reaguar vetë kryebashkiaku Gledian Llatja i cili thotë se zjarrfikësja e Elbasanit ka kushtet më të mira me të gjitha parametrat e nevojshme. Ndërsa për momentin viral, Llatja thotë se zjarrfikësi mund të kishte dëmtime nga presioni i lartë i ujit.

“Jemi pajisur me mjete të reja kemi shkallën përkatëse, gjithashtu dhe dikush që vjen në ndihmë të emergjencave civile. Katër mjetet janë brenda parametrave dhe funksion të plotë. Është e vërtetë që ka pasur një deklaratë në rrjet për kushtet e zjarrfikëses se Elbasanit, ajo i ka të gjitha parametrat. Momentet e ndërhyrjes në zjarr të strukturat përkatëse të zjarrfikësit dhe personit që komandon në zjarrfikës janë dy procese të ndryshme.

Në momentin që zjarrfikësi jep njoftimin se është stabilizuar në pozicionin e luftimit të zjarrit, jep lajmin për hapjen e zjarrit dhe presionit të caktuar nga sistemi i pompës. Ndryshe dhe ai vetë mund të ketë dëmtime nga presioni që ka uji në sistemin e fikjes, në pompë.”, tha Llatja në fjalën e mbajtur ditën e sotme për mediat.

Ndërkaq, detaje të reja kanë dalë në pah sot nga shpërthimi në Elbasan i cili u përmbyll në mënyrë tragjike për dy familje, pasi 69-vjeçari Hamit Ibro dhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha humbën jetën.

Sipas të dhënave të bëra publike, bombola e gazit dyshohet se ishte vendosur në katin zero të ndërtesës, ndërsa gazi përcillej përmes një tubacioni deri në apartamentin në katin e tretë, aty ku dhe ndodhi shpërthimi në apartamentin e Hamit Ibros.

Instalimi i tubit është një nga elementet që pritet të verifikohen nga ekspertët teknikë, për të përcaktuar nëse ka pasur rrjedhje përgjatë tubacionit dhe si është krijuar përqendrimi i gazit në banesë.

Dyshimet paraprake lidhen me mundësinë që rrjedhja të ketë shkaktuar grumbullimin e gazit, i cili, në kontakt me një burim ndezjeje, mund të ketë sjellë shpërthimin me fuqi të madhe, e cila “shkrumboi” një ndërtesë të tërë, u mori jetën 2 personave dhe la pa shtëpi dhjetëra familje.

Po ashtu mësohet se kryebashkiaku Gledian Llatja ka premtuar bonuse qiraje për të gjitha familjet e pallatit 5 katësh, për të cilin sot është kërkuar shembja e tij.

Të Ngjashme