Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka kërkuar ndërmarrjen e masave konkrete për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rritjen e performancës së klinikave dhe forcimin e llogaridhënies nga menaxhmentet e spitaleve rajonale.
Në mbledhjen e mbajtur të premten, Bordi ka theksuar nevojën që menaxhmentet e spitaleve rajonale të mbajnë përgjegjësi për adresimin e mangësive të identifikuara dhe zbatimin e rekomandimeve të auditimit.
“Bordi kërkoi që nga menaxhmentet e spitaleve rajonale të kërkohet përgjegjësi për adresimin e mangësive të identifikuara, zbatimin e rekomandimeve të auditimit dhe përmirësimin e performancës institucionale, përmes përcaktimit të masave konkrete, personave përgjegjës dhe afateve të zbatimit”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni.
Në kuadër të trajtimit të gjetjeve të auditimit, ShSKUK-ja ka bërë të ditur se kanë nisur procedurat disiplinore ndaj personave për të cilët janë evidentuar dyshime për shkelje.
“Në kuadër të adresimit të gjetjeve të auditimit, kanë filluar procedurat disiplinore ndaj personave për të cilët janë evidentuar dyshime për shkelje. Bordi Drejtues do të informohet në vazhdimësi për punën e Komisionit Disiplinor, ecurinë e procedurave dhe masat që do të ndërmerren”.
Po ashtu, Bordi ka kërkuar që rekomandimet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm të shoqërohen me përgjegjësi të përcaktuara, afate kohore dhe raportim të rregullt për zbatimin e tyre.
“Lidhur me rekomandimet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm, Bordi kërkoi përcaktimin e përgjegjësive dhe afateve konkrete, si dhe raportim periodik mbi progresin dhe dëshmi për zbatimin e tyre”.
Një tjetër çështje e trajtuar në mbledhje ishte përmirësimi i cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore.
“Për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore, Bordi kërkoi formimin e një grupi punues profesional për analizimin e treguesve të vdekshmërisë, infeksioneve spitalore, komplikacioneve, prerjeve cezariane dhe shfrytëzimit të kapaciteteve spitalore”.
“Rezultatet e analizës do të shërbejnë për identifikimin e mangësive dhe propozimin e masave konkrete për përmirësim”.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe performancës së dhjetë klinikave kirurgjike, pas vlerësimit të pyetësorëve të vetëvlerësimit.
“Pas vlerësimit të pyetësorëve të vetëvlerësimit të dhjetë klinikave kirurgjike, Bordi kërkoi hartimin e masave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, koordinimin ndërmjet klinikave, zbatimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve klinikë, si dhe përcaktimin e prioriteteve për investime infrastrukturore”.
Në të njëjtën mbledhje, Bordi Drejtues ka miratuar njëzëri Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Administratës Qendrore të SHSKUK-së, me synim forcimin e organizimit institucional.
Në përfundim, Bordi ka ritheksuar se menaxhmentet e spitaleve rajonale duhet të japin llogari për rezultatet e punës dhe zbatimin e masave të kërkuara. Sipas institucionit, mbikëqyrja do të vazhdojë për të siguruar përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve shëndetësore.
