Gazetari Gëzim Mekuli ka kritikuar analistët dhe komentuesit në Prishtinë që, sipas tij, i japin alibi politike kryeministrit shqiptar Edi Rama, pa vlerësuar ndikimin e politikave të tij ndaj Kosovës.
Në një shkrim, Mekuli ka përmendur nismën e Ballkanit të Hapur, për të cilën thotë se ngjalli shqetësime në Prishtinë dhe dobësoi besimin mes dy vendeve. Ai thekson se kritika ndaj Ramës nuk nënkupton kritikë ndaj Shqipërisë.
“Shqipëria meriton më shumë se një autokrat. Kosova meriton më shumë se avokatë televizivë të pushtetit të tij”, ka shkruar Mekuli, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos e ngatërrojnë patriotizmin me servilizmin ndaj pushtetit.
Shkrimi i plotë:
Anti ‘kosovarizmi’ që fshihet pas mbrojtjes së Ramës
Anti ‘kosovarët’ më të zhurmshëm nuk janë domosdoshmërisht ata që shajnë shqiptarët e Kosovës haptazi, por ata që, nga studiot e Prishtinës, i japin alibi politike Edi Ramës dhe politikave të tij ndaj Kosovës.
Në historinë politike të Ramës, është vështirë të gjendet një veprim që të ketë dëshmuar përkushtim të qëndrueshëm ndaj interesave shtetërore të Kosovës. Përkundrazi, me nismën e Ballkanit të Hapur, Tirana zyrtare u vu në një kurs politik që ngjalli shqetësime të thella në Prishtinë dhe dobësoi besimin mes dy qendrave shqiptare. Kurrë më parë, në këtë masë, marrëdhëniet mes Tiranës zyrtare dhe Prishtinës nuk janë ngarkuar me kaq shumë mosbesim politik.
Ta kritikosh Ramën nuk do të thotë të kritikosh Shqipërinë. Përkundrazi, të kundërshtosh një pushtet që dëmton interesat e Kosovës është shërbim ndaj Shqipërisë, ndaj Kosovës dhe ndaj vetë kombit shqiptar. Ne që e kundërshtuam Ballkanin e Hapur serb nuk e bëmë për t’i shkaktuar dëm Shqipërisë, por sepse besonim se Kosova nuk duhej të paguante çmimin e aventurave politike të askujt.
Prandaj, kur analistë e komentues në Prishtinë e mbrojnë Ramën pa e vënë në peshore përgjegjësinë e tij politike, lind një pyetje e pashmangshme: ku përfundon analiza dhe ku fillon shërbimi ndaj pushtetit? Kur heshtet për dëmin e mundshëm ndaj Kosovës dhe glorifikohet lideri, interesi kombëtar kthehet në dekor televiziv.
Shqipëria nuk është Edi Rama. Tirana zyrtare nuk është populli shqiptar. Shqipëria është edhe rinia që proteston, qytetari që kërkon dinjitet, intelektuali që kundërshton dhe shqiptari që nuk pranon ta shohë atdheun të shndërrohet në pronë të pushtetit.
Ndaj, vëllezër të Prishtinës, mos e ngatërroni Shqipërinë me qeverinë e saj dhe as patriotizmin me servilizmin ndaj një kryeministri. Mos ia ktheni shpinën rinisë shqiptare për t’i dalë në mbrojtje pushtetit të dRamës.
Krah Shqipërisë, po! Krah popullit shqiptar, gjithmonë! Por asnjë pushteti nuk i detyrohemi me heshtje, aq më pak kur në emër të vëllazërisë rrezikohet të sakrifikohet dinjiteti politik i Kosovës.
Shqipëria meriton më shumë se një autokrat. Kosova meriton më shumë se avokatë televizivë të pushtetit të tij. Dhe kombi shqiptar meriton një solidaritet që nuk blihet, nuk shitet dhe nuk negociohet në studiot televizive të oligarkëve.
