Reperi i njohur Capital T ka reaguar përmes një videomesazhi lidhur me protestat studentore në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen e tij për studentët dhe duke bërë thirrje për ndalimin e dhunës.
Reagimi i artistit vjen pak ditë pas një bisede telefonike që ai pati me një efektiv të Policisë së Shqipërisë, i cili i kërkoi të paraqitej pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në mesazhin e tij, Capital T shprehet i prekur nga pamjet e protestave, duke theksuar se nuk mund të qëndrojë indiferent përballë situatës.
Ai thekson se mirëqenia e qytetarëve është më e rëndësishme se çdo angazhim i tij profesional, duke deklaruar se nuk mund të vazhdojë aktivitetin muzikor sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
Në fund të mesazhit, reperi shpreh shpresën që zëri i studentëve të dëgjohet dhe që situata të qetësohet sa më shpejt.
“Nuk mund të mendohet që të shoh ato skena dhe mos të reagoj. Normal që kemi me reagu dhe absolutisht që jam në suport të studentëve, në suport të njerëave të mi, për çdo lloj kauze që ka të bëjë për të drejtat te tyre. Na dhemb zemra me pa Shqipërinë në këtë gjendje dhe njerëazit e mi që më kanë përkrahur dhe ma kanë dhënë gjithë këtë dashuri. S’kam kurrfarë llogarie të bërë kur vjen puna për këta njerëz. Nuk ekziston asgjë më e madhe sesa mirëqenia e popullit tim. S’mund as të bëj muzikë, as me publikuar këngë, as më bërë koncerte, derisa unë i shoh ato skena. Dhe normal që kam me reaguar. Nuk ka kurrgjë që më mundet me më nadal mos me reagu. Kështu që uroj se do të dëgjohen zëri i studentëve, uroj që ka për t’u ndërprerë sa më shpejt tërë kjo dhunë dhe shkatërrim. Edhe dini një gjë, që mua më keni gjithmonë përkrah, gjithmonë unë e kam treguar në shumë etapa dhe s’dua as falenderime, as protagonizëm për këtë. Unë jam thjeshtë njëri prej jush. Edhe për gjithë këto gjëra kam për të qenë gjithmonë aty kur ka padrejtësi. Kështu që jemi bashkë dhe bashkë kemi për të qëndruar.”, shprehet reperi i njohur.
