Ka përfunduar restaurimi i Valanicës dhe Mullirit në fshatin Bellobrad të Dragashit, ka njoftuar ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci.
“Dy zeje tradicionale, nën të njëjtën çati”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.
Ajo ka bërë të ditur se, që nga shekulli XIX, ky aset ka shërbyer për bluarjen e grurit e misrit dhe përpunimin e leshit për veshjet tradicionale.
“I rrallë për mënyrën se si i bashkon këto dy veprimtari në një ndërtesë të vetme, ai mbetet një dëshmi e jetës dhe e mjeshtërisë së dikurshme në Opojë”, ka shkruar Bogujevci.
“Restaurimi i tij është një hap konkret për ruajtjen e kësaj trashëgimie”, ka theksuar ajo.
