Lajme

Kush s’paguan tarifën e administrimit i bllokohet prona krahas kamatëvonesave

Mospagimi i tarifës së administrimit të pallatit mund të sjellë kufizimin e apartamentit në Kadastër, duke penguar shitjen, dhurimin apo ngarkimin e tij me hipotekë deri në shlyerjen e detyrimeve.

Këtë parashikon rregullorja tip e qeverisë për administrimin e banesave dhe ndërtesave.

Sipas dokumentit të konsultuar nga skyweb.al, administratori ose shoqëria administruese mund të kërkojë regjistrimin e kufizimit kur pronari nuk ka shlyer detyrimet për të paktën 12 muaj.

E njëjta procedurë mund të ndiqet edhe kur borxhi i papaguar arrin të paktën 0,5% të vlerës së njësisë.

Këto janë dy kushte alternative. Për shembull, për një apartament me vlerë 10 milionë lekë, pragu prej 0,5% përkon me një detyrim të papaguar prej 50 mijë lekësh.

Kufizimi regjistrohet në kartelën e pronës dhe pengon kryerjen e veprimeve të caktuara juridike me të.

Rregullorja përcakton se pasuria e kufizuar nuk mund të tjetërsohet, të kalohet, të jepet në përdorim apo të ngarkohet me barrë dhe të drejta të tjera reale pa u vërtetuar shlyerja e detyrimeve.

Pronari ruan pronësinë mbi apartamentin. Masa e kufizimit nuk parashikon largimin e tij nga banesa.

Për vendosjen e saj duhet të ndiqet një procedurë e dokumentuar. Bashkëpronari njoftohet me shkrim 10 ditë përpara vendimmarrjes dhe duhet të provohet se ka marrë dijeni.

Më pas, kryesia e bashkëpronarëve merr vendim me shumicë të cilësuar dhe autorizon administratorin të paraqesë kërkesën në Kadastër, bashkë me dokumentet që provojnë detyrimin dhe njoftimin e pronarit.

Pas shlyerjes së borxhit, pronari mund të kërkojë heqjen e kufizimit duke paraqitur vërtetimin bankar.

Kadastra duhet ta heqë atë brenda pesë ditëve nga depozitimi i vërtetimit, pa qenë i nevojshëm një vendim tjetër i kryesisë.

Rregullorja parashikon gjithashtu kamatëvonesë të barabartë me 30% të tarifës për çdo muaj vonesë. Nëse tarifa mujore është 1.000 lekë, kamata për një muaj vonesë të asaj pagese është 300 lekë.

Nga kamata përjashtohen pronarët që gëzojnë status dhe mbrojtje të veçantë ligjore, sipas legjislacionit në fuqi.

Detyrimi për administrimin mbetet edhe kur apartamenti nuk përdoret. Mbajtja bosh e banesës nuk e përjashton pronarin nga pagesa, ndërsa ulja e tarifës për raste specifike kërkon vendim të asamblesë së bashkëpronarëve.

Pas tre muajve radhazi me tarifa dhe kamata të pashlyera, administratori duhet të informojë me shkrim kryesinë dhe asamblenë. Vendimi i kryesisë që përcakton detyrimet monetare përbën titull ekzekutiv, duke hapur rrugën për ndjekjen e tyre nëpërmjet përmbarimit./skyweb.al

Të Ngjashme