Lajme

Çeku takon drejtuesit e SBASHK-ut, diskutojnë për fillimin e vitit të ri shkollor dhe rëndësinë e bashkëpunimit

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka vizituar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Çeku është pritur në takim nga kryetari Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri.

Në takim, siç bëhet e ditur në vetë njoftimin e ministrisë, është diskutuar lidhur me rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit arsimor, si dhe për përgatitjet rreth fillimit të vitit të ri shkollor.

“Gjatë takimit u diskutua për përgatitjet rreth fillimit të vitit të ri shkollor, rolin kyç të mësimdhënësve, rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit arsimor, dhe përgjegjësitë, përveçse synimin e përbashkët për cilësi të arsimit në vend”, bëhet e ditur në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se kryetari i SBASHK-ut vlerësoi vizitën e ministrit, si dhe shprehu mbështetjen për Strategjinë e Arsimit 2035+, duke e cilësuar, siç thuhet në njoftim, si një dokument të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të arsimit gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm.

Të Ngjashme