Teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë vijon hetimet për të zbuluar origjinën e mutacionit “Andean” të hantavirusit, situata në anijen turistike “MV Hondius” mbetet e tensionuar. Dyshohet se virusi u transmetua pasi disa pasagjerë ranë në kontakt me brejtës gjatë një vëzhgimi zogjsh në Argjentinë.
Anija, që reklamonte udhëtimin si “një eksperiencë që do ta mbani mend gjithë jetën”, është kthyer tashmë në qendër të një alarmi shëndetësor ndërkombëtar. Në bord ndodhen 149 pasagjerë nga 23 vende të ndryshme, ndërsa ekspertët e OBSH-së po kryejnë kontrolle të vazhdueshme për gjurmë të brejtësve dhe raste të reja infektimi.
Pasagjerët në izolim
Pasagjerëve u është kërkuar të qëndrojnë në kabinat e tyre, të përdorin maska dhe dezinfektantë, si dhe të respektojnë distancimin fizik. Atmosfera në anije është krahasuar nga shumë persona me periudhën e izolimeve gjatë pandemisë së COVID-19.
Situata mori vëmendje të madhe edhe në rrjetet sociale, pasi vlogeri amerikan i udhëtimeve, Jake Rosemarin, publikoi një video ku shfaqej i përlotur nga kabina e tij.
“Ne nuk jemi thjesht një histori apo tituj lajmesh. Kemi familje dhe njerëz që na presin në shtëpi”, u shpreh ai.
Më vonë, influencuesi publikoi video të tjera ku tregonte se ekuipazhi po kujdesej për pasagjerët dhe po ofronte mbështetje psikologjike.
Teori konspirative dhe reagime online
Një tjetër influencues udhëtimesh, Kassem Hato, deklaroi se situata ishte nën kontroll dhe se pasagjerët ishin të qetë, në përpjekje për të shmangur panikun.
Në internet nisën të qarkullojnë teori të ndryshme konspirative, ku disa pretendonin se pasagjerët po mbaheshin me forcë në kabina, ndërsa të tjerë shkonin deri aty sa të pretendonin se anija nuk ekzistonte fare.
Tre viktima dhe raste të dyshuara
Drama nisi më 11 prill, kur një pasagjer holandez humbi jetën në rrethana të paqarta. Më vonë, OBSH konfirmoi se ai ishte infektuar me hantavirus. Bashkëshortja e tij u shtrua në spital në Afrikën e Jugut.
Më 27 prill, një tjetër pasagjer u dërgua në gjendje kritike në spital, ndërsa më 2 maj një turist gjerman humbi jetën në bord. Deri tani janë konfirmuar tre raste me hantavirus dhe të paktën pesë raste të tjera të dyshuara.
Autoritetet dyshojnë se shpërthimi lidhet me mutacionin “Andean”, një variant i rrallë që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu dhe që shkakton pneumoni të rëndë.
Çfarë është mutacioni “Andean”?
Ky variant i hantavirusit bartet nga një specie minjsh të zakonshëm në zonat rurale të Argjentinës. Infektimi zakonisht ndodh përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e brejtësve.
Ndryshe nga format e tjera të hantavirusit, mutacioni “Andean” mund të transmetohet edhe mes njerëzve, megjithëse rastet janë të rralla.
Sipas ekspertëve, infeksioni mund të rezultojë fatal në deri në 40% të rasteve, ndërsa OBSH vlerëson se rreziku për një emergjencë globale mbetet aktualisht i ulët.
/tiranapost
