Debati për afatet kushtetuese dhe procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka marrë një tjetër përplasje politike, pas vendimit që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet të shtunën, 8 gusht, ndonëse afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përfundimin e këtij procesi përfundon sot në mesnatë.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar ministri në dëtyrë i Financave, njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi reagimet e sotme të opozitës dhe të disa analistëve për respektimin e afateve kushtetuese.
Murati përmes një postimi në Facebook, ka rikujtuar se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, edhe atëherë kishte kaluar afati 30-ditor nga certifikimi i rezultateve pa u konstituuar Kuvendi, por sipas tij, vonesa e asaj kohe nuk ishte trajtuar si shkelje kushtetuese nga opozita apo komentuesit politikë, përcjell “Bota sot”.
Ai ka theksuar se në atë periudhë bllokada e procesit vinte nga opozita, ndërsa sot, sipas tij, të njëjtët akterë po e paraqesin situatën si problem kushtetues.
Reagimi i plotë
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ishin certifikuar me 27 mars 2025.
Me 26 prill 2025 ishin bërë 30 ditë prej certifikimit të zgjedhjeve, dhe nuk ishte konstituuar Kuvendi, sepse opozita po e bllokonte konstituimin.
Askush prej opozitës asokohe, e as prej “analistëve”, nuk e kishte cilësuar këtë vonesë si problem e as si shkelje kushtetuese.
Çka kanë sot?
