Lajme

Rama paralajmëron kufizime në kufi dhe shton fantazinë për “duar të huaja”: Do të gjeni belanë edhe në Europë! Dje erdhën ca nga Spanja si mercenarë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ndaj personave të dyshuar për përfshirje në akte dhune gjatë protestave, duke përfshirë krijimin e një regjistri elektronik dhe kontrolle të shtuara në kufi.

Sipas idesë së Ramës, regjistri do të përmbajë të dhënat e personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit dhe rendit publik. Rama paralajmëroi se personat që synojnë t’u shmangen dënimeve apo masave ligjore mund të përballen me kufizime në dalje nga Shqipëria.

Ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar se autoritetet shqiptare do të informojnë strukturat e vendeve pritëse dhe kompanitë e transportit për personat që i konsiderojnë të rrezikshëm.

Propozimi ngre pikëpyetje për respektimin e prezumimit të pafajësisë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe kriteret ligjore për kufizimin e lëvizjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona që janë vetëm nën hetim.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama:

“Regjistri i posaçëm elektronik do të krijohet për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit dhe rendit publik.

Do të administrohet nga policia dhe do të mbajë të dhënat e këtyre personave.

Policia Kufitare dhe e Emigracionit, për çdo dhunues, do të ushtrojë të drejtën që i jep ligji për kontrollin e kufirit shtetëror, për t’u refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’u shmangen dënimeve apo masave për këto vepra.

Do të njoftohen edhe strukturat e vendeve pritëse për rrezikun e këtyre personave, përfshirë edhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren.

Çdo dhunues të jetë i bindur, qoftë me banim në Tiranë apo ata që erdhën dje nga Spanja si mercenarë për të ushtruar dhunë, se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë pa mbaruar punë me ligjin këtu në Tiranë.

Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale, kur identifikohen nga policia, do të pasohen nga një njoftim për fshirjen e postimit dhe mospërsëritjen e tij, duke ofruar edhe mbështetje psikologjike nëse ka nevojë.

Nëse postimi nuk fshihet, policia vepron sipas ligjit, përfshirë ndjekjen penale.

Identifikimi i personave të maskuar, fshehja e identitetit të personave në protestë është e ndaluar bazuar në ligjin ekzistues. Do ta përfshijmë në Kodin Penal, duke ndjekur modelin francez.

Kush kapet me sende të rrezikshme dënohet deri në dy vite burg. Mbajtja e maskës për të dhunuar, fshehja e fytyrës ndëshkohet me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg.

Nuk ndëshkohet kush e mbulon fytyrën për arsye fetare apo shëndetësore.

Nxitja për dhunë edhe në rrjetet sociale ndëshkohet kur thirrja krijon rrezik real dhe të afërt. Dënimi është më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve ose pas saj ndodh dhuna.

Gazetaria dhe thirrjet politike nuk ndëshkohen kurrsesi.

Kanosja online ose publike dënohet si vepër më e gjerë. Videot e falsifikuara me inteligjencë artificiale, me fytyrën e një personi, bëhen vepër penale. Satira nuk ndëshkohet kur është e shënuar si e tillë.”

Të Ngjashme