Kuriozitete

U dëmtua me plumb gome në sy, Mjekja: 28-vjeçari do të dërgohet në Itali për mjekim të specializuar

28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së një dite më parë, do të dërgohet në Itali për trajtim të specializuar pas ndërhyrjes së parë të kryer në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Lajmi u bë i ditur nga shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT, Dr. Vilma Mema, e cila tha se gjendja e të riut paraqitet më e stabilizuar dhe se janë konstatuar disa shenja pozitive pas vlerësimeve të kryera nga stafi mjekësor.

“Fatmirësisht, sot kemi disa shenja pozitive. Pas konsultave me stafin e gjerë që ka ndjekur rastin, situata duket më e stabilizuar krahasuar me përfundimet që konstatuam dje. Stafi ka arritur në përfundimin se duhet të kryhet edhe një ndërhyrje e dytë për heqjen e trupit të huaj”, tha Mema.

Sipas saj, ndërhyrja e parë është realizuar në QSUT në përputhje me protokollet mjekësore, por për shkak të natyrës së traumës është vendosur që pacienti të transferohet në një qendër më të specializuar në Itali.

“Kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specializuar për traumat e retinës në Itali. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila menjëherë është vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit sot. Do të jemi në bashkëpunim të ngushtë me mjekët atje për mënyrën se si do të kryhet ndërhyrja e dytë dhe për ecurinë e mëtejshme të rastit”, u shpreh ajo.

Mjekja theksoi se është ende herët për të përcaktuar pasojat që mund të ketë dëmtimi në shikimin e 28-vjeçarit, pasi gjithçka do të varet nga rezultatet e ndërhyrjes së dytë dhe rikuperimi në ditët në vijim.

“Për sa i përket shikimit, duhet të presim rezultatet e ndërhyrjes së dytë. Ndërhyrja e parë është kryer sipas të gjitha protokolleve ndërkombëtare dhe në mënyrë korrekte nga stafi i spitalit. Më pas pritet një ndërhyrje më e specializuar, ndërsa gjendja e syrit do të vlerësohet hap pas hapi për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm”, deklaroi Mema.

Në përfundim, ajo i uroi të riut shërim të shpejtë dhe bëri të ditur se mjekët do të komunikojnë sërish me opinionin publik pas ndërhyrjes së radhës dhe vlerësimeve të specialistëve në Itali.

“Kryhet edhe në QSUT, por do të dërgohet në një spital më të specializuar në Itali. Pacienti do të niset sot dhe do të jemi në bashkëpunim me kolegët italianë për ecurinë. Për sa i përket shikimit, do të presim rezultatin e ndërhyrjes së dytë. I uroj djalit më të mirën e mundshme”, përfundoi ajo.

/rtsh.al/

Të Ngjashme