Është paralajmëruar se nesër në orën 14:00, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, do të dorëzohet një kallëzim penal ndaj ministres së Administratës Shtetërore në Serbi, Snezhana Paunoviq.
Avokati Gent Gjini ka thënë për IndeksOnlinen se, në kallëzimin penal, do të kërkohet edhe lëshimi i një fletarrestimi ndërkombëtar përmes Interpolit.
Sipas tij, deklaratat e ministres përbëjnë cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë juridike të Republikës së Kosovës.
Avokati deklaron se deklarata e Paunoviqit, që thënë se “po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” është skandaloze dhe e rrezikshme.
Gjini vlerëson se, për shkak të pozitës së saj si pjesë e Qeverisë së Serbisë, ministrja paraqet rrezik potencial për sigurinë e popullatës shqiptare në Kosovë.
Avokati ka bërë të ditur se përveç Prokurorisë Speciale, një kopje e kallëzimit penal do t’u dorëzohet edhe ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë, si dhe zyrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
