Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, duke e akuzuar atë se është në dijeni të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, por megjithatë i relativizon ato përmes deklaratave të saj publike.
Kandiq ka rikujtuar se Paunoviq është e lindur në Pejë dhe se e di mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga qyteti.
Sipas saj, shqiptarët u detyruan të largoheshin në kolona, në këmbë drejt Malit të Zi, ndërsa shumë të tjerë u deportuan me autobusë drejt Shqipërisë.
“Ministrja Paunoviq është nga Peja. Ajo e di mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi nga Peja pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare – se njerëzit largoheshin në këmbë, në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë deportoheshin në Shqipëri”, ka deklaruar Kandiq.
Ajo ka përmendur gjithashtu krimet e kryera në fshatrat Çyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku, sipas saj, civilët u vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën.
Sipas Kandiqit, pavarësisht njohurive për këto ngjarje, Paunoviq po e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk ishte zbatuar në vitin 1998.
“Ajo i di të gjitha këto, por pavarësisht kësaj, e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që nuk ishte zbatuar në vitin 1998”, ka shtuar ajo.
Në përfundim, Kandiq ka theksuar se deklaratat e ministres serbe nuk duhet të interpretohen vetëm si qëndrime për ngjarjet e së kaluarës, por si një tregues se ideologjia që, sipas saj, çoi në spastrimin etnik gjatë luftës në Kosovë vazhdon të jetë e pranishme.
“Fjalët e saj nuk i përjetoj si një diskutim për të kaluarën, por si një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur”, ka përfunduar Kandiq.
