Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar pas votimit për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës.
Sadiku tha se dita e votimit ishte “dita më e rëndë” e karrierës së tij politike, por theksoi se kishte vendosur të respektonte vendimin e përbashkët të partisë dhe grupit parlamentar.
Ai tha se e merr përgjegjësinë për votën e tij, pavarësisht kritikave, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes dy partive të para për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale.
Sadiku e uroi Shiroka-Pulën, duke i bërë thirrje që si presidente të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe të mos harrojë historinë e Kosovës, por të fokusohet edhe në të ardhmen.
Postimi i plotë:
Dje ka qenë dita më e rëndë e karrierës sime të shkurtër politike. Kam mendu që është e fundit.
I ndarë mes përgjegjësisë institucionale, drejtësisë, të kaluarës së rëndë të LDK-së dhe dashnisë time të pashtershme për UÇK-në, kam zgjedh me respektu vendimin e përbashkët të partisë.
Jo vetëm pse është vendim, por sepse unë besoj në bashkëpunim. Besoj në grup. Besoj në organizim. Besoj përtej individit.
E kam ditë që kanë me më sha e me më ofendu. Në këtë Kosovë janë sha e ofendu njerëz shumë më të mëdhenj se unë. Është sha Rugova. Është sha familja Jashari. Prandaj, fjalët ndaj meje janë pjesa më e lehtë me e përballu.
Ajo që është më e vështirë është me jetu me vendimet e tua.
Unë nuk dua me qenë politikan që e ndryshon bindjen sipas duartrokitjeve të ditës. As politikan që, kur vendimi është i vështirë, fshihet pas të tjerëve.
Vendimi im dje ishte me qëndru me grupin tim parlamentar dhe me marrë përgjegjësinë për këtë vendim. Pa ikë prej tij. Pa e fajësu askënd tjetër.
Por kjo sot është e parëndësishme.
Sepse dje Kosova fitoi.
Ndoshta jo ashtu siç e kam mendu unë fitoren. Ndoshta jo ashtu siç e kam dashtë unë.
Por dy partitë e para, përkundër krejt dallimeve mes tyre, bashkëpunuan. E gjetën një zgjidhje dhe institucioni mbeti.
Kjo është më e madhe se unë. Më e madhe se një deputet, një votë apo një parti.
Urime, Presidente Justina.
Prej dje nuk je Presidente e asnjë partie. Je Presidente e Republikës së Kosovës.
Je Presidente që je votu nën brohoritjet “UÇK, UÇK, UÇK”, në një qytet që po bënte flakë.
Mos e harro këtë.
Mos i harro ata që luftuan. Mos i harro ata që u vranë. Mos i harro familjet që ende presin drejtësi. Dhe, mbi të gjitha, mos harro se prej sot duhet me i përfaqësu të gjithë.
Por edhe më e rëndësishme: mos harro që ne jemi këtu për të ardhmen.
Për fëmijët tanë. Për ata që vijnë pas nesh.
Historinë duhet me e mbajtë mend. Por nuk mundemi me jetu vetëm në të.
Historia na tregon prej nga vijmë. Vizioni përcakton ku shkojmë.
Republika mbetet.
