Lajme

DETAJE nga ngjarja në Greqi, dëshmon GRUAJA e 48-vjeçarit: Kisha frikë nga ai, muajt e fundit kishte…

Detaje të reja janë bërë publike nga hetimi për ngjarjen e rëndë në Nea Smyrni të Athinës, ku një 48-vjeçar vrau me armë zjarri një 45-vjeçare dhe më pas i dha fund jetës.

Sipas mediave greke, bashkëshortja e autorit ka dëshmuar para policisë se kishte vënë re ndryshime të forta në sjelljen e tij gjatë rreth 18 muajve të fundit. Ajo ka deklaruar se ai mungonte shpesh në shtëpi dhe në disa raste kalonte net jashtë, pa i treguar se ku ndodhej.

Pak para se të largohej përfundimisht nga banesa, 48-vjeçari dyshohet se i la gruas së tij 1 mijë euro dhe u nis drejt Nea Smyrnit. Atje, sipas hetuesve, ai priti pranë banesës së 45-vjeçares.

Kamerat e sigurisë po analizohen nga autoritetet dhe dyshohet se kanë regjistruar momentin kur viktima hapi derën dhe doli nga banesa. Në atë çast, 48-vjeçari e qëlloi me armë dhe më pas vrau veten.

Bashkëshortja e tij ka deklaruar gjithashtu se kishte frikë prej tij. Ndërkohë, një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me një marrëdhënie të mundshme mes autorit dhe viktimës.

Viktima kishte folur për një lidhje të kaluar

Në fokus të hetuesve janë edhe dëshmitë e familjarëve të 45-vjeçares. Sipas mediave greke, ajo i kishte treguar motrës se kishte qenë në një lidhje me një burrë, por kishte vendosur të ndahej për shkak të xhelozisë së tij.

45-vjeçarja dyshohet se i kishte rrëfyer motrës se burri vazhdonte ta kontaktonte edhe pas ndarjes dhe se ajo ndihej e frikësuar prej tij.

Në momentin e krimit, gruaja ndodhej e vetme në banesë, ndërsa vajza e saj ishte larg Athinës, në Agrinio, së bashku me xhaxhain.

Hetuesit kontrollojnë telefonat dhe të kaluarën e 48-vjeçarit

Policia greke po analizojnë telefonat celularë dhe pajisjet elektronike të 48-vjeçarit, me qëllim gjetjen e komunikimeve apo provave që mund të hedhin dritë mbi marrëdhënien e tij me viktimën dhe ditët para krimit.

Arma e përdorur në ngjarje dyshohet se mbahej pa leje.

Në kuadër të hetimit, autoritetet greke po verifikojnë edhe të kaluarën e 48-vjeçarit në Shqipëri. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, ai ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2016, nën dyshimin për një vepër penale ndaj bashkëshortes së tij. Gjithashtu, ndaj tij raportohet se ishte shqyrtuar edhe një çështje e lidhur me përndjekjen.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin e saktë të krimit dhe për të zbardhur marrëdhënien që mund të ketë ekzistuar mes 48-vjeçarit dhe 45-vjeçares.

Të Ngjashme