LifeStyle

Detajet – Romain Gavras do ta sjellë në film grabitjen e madhe në Luvër

Vjedhja e bizhuterive me vlerë 100 milionë euro nga Muzeu i Luvrit do të shndërrohet në film, me Romain Gavras që do të marrë përsipër regjinë.

Filmi do të bazohet në librin investigativ “Main basse sur le Louvre” (“Goditja në Luvër”), i cili dokumenton prapaskenat e grabitjes së madhe të 19 tetorit 2025.

Sipas shtëpisë botuese Flammarion, të drejtat për adaptimin kinematografik të librit janë blerë nga kompania e produksionit Iconoclast. Libri, që publikohet këtë javë në Francë, është shkruar nga tre gazetarë të gazetave Le Parisien, Le Monde dhe Paris Match.

Siç raporton agjencia franceze e lajmeve, deri më tani nuk janë bërë publike as titulli i filmit dhe as emrat e aktorëve që do të marrin pjesë në të. Megjithatë, projekti ndodhet tashmë në fazën e zhvillimit.

Pavarësisht arrestimit të të dyshuarve kryesorë dhe hetimit shtatëmujor që pasoi ngjarjen, bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë gjetur. Autorët e librit e përshkruajnë zhdukjen e objekteve të çmuara si një mister të madh, që ka shkaktuar konfuzion të madh te hetuesit.

Sipas tyre, kjo çështje tregon se “vjedhja e veprave të artit është shndërruar për shumë kriminelë në një aktivitet të mirëfilltë biznesi”.

“Bota e krimit ka gjetur një treg të ri shumë fitimprurës”, theksojnë ata.

Të Ngjashme