Dhuna, plaçkitja e bizneseve dhe shkatërrimi i pronës publike nuk mund të justifikohen. Por as dhuna në rrugë nuk mund të përdoret për të shmangur pyetjen më të rëndësishme se pse mijëra të rinj kanë dalë në rrugë dhe çfarë përgjigjeje politike po marrin?
Protestat e këtyre ditëve nuk nisi sot, por ka muaj të tërë akumulim, që kulmoi në Mars, ku qeveria amnistoi korrupsionin e Belinda Ballukut.
Protesta u nis me anulimin e një projekti në Zvërnec, por sërish zëri i qytetarëve u shua. Më pas protestuesit kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Rama, jo për fajet e tij personale, por për skemën kriminale, korruptive dhe abuzuese të qeverisjes që ai kishte ngritur në Shqipëri, nga njerëzit e tij.
Mjafton të përmendim Ahmetajn, Veliajn, Agasin, Ilir Beqajn, Shefen e SHISH Vlora Hysenin, deputetë të arrestuar si Jurgis Çyrbja, e deri tek e paprekshmja Belinda Balluku.
Kjo është arsyeja kryesore, pa i shtuar faktin se krijoi një sistem drejtësie represive, me burgosje masive në vitet e fundit, të krahasueshme me ato të sistemit të drejtësisë.
Një pjesë e protestuesve sot kërkojnë tashmë largimin e Edi Ramës, ndërsa kryeministri ka deklaruar se nuk do të dorëhiqet dhe se është i gatshëm të diskutojë reformat në arsim.
Problemi për Ramën është se zemërimi i sotëm nuk ka lindur brenda një nate. Ai është grumbulluar ndër vite dhe mbi të rëndojnë një seri çështjesh penale që kanë prekur figura të rëndësishme të pushtetit, të Partisë Socialiste apo institucioneve të drejtuara nga të emëruarit e qeverisë.
Ahmetaj, ish-numri dy i qeverisë, sot i pandehur dhe në kërkim
Arben Ahmetaj nuk ishte një zyrtar periferik. Ishte ministër për vite dhe më pas zëvendëskryeministër i Edi Ramës.
Sot SPAK e ka dërguar për gjykim për nëntë episode korrupsioni pasiv, pastrim parash dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie. Prej vitesh ai ndodhet jashtë vendit dhe me masë sigurie të paekzekutuar.
Përgjegjësia penale është personale dhe do ta vendosë gjykata. Por përgjegjësia politike është tjetër gjë.
Kur njeriu që ke ngritur deri në postin e zëvendëskryeministrit përfundon në një dosje të tillë, kjo nuk mund të trajtohet sikur bëhet fjalë për një person krejt të huaj ndaj sistemit të qeverisjes.
Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës në burg
Erion Veliaj, një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste dhe ish-ministër i qeverisë Rama, vazhdon të jetë në “arrest në burg”.
SPAK e ka dërguar për gjykim me 13 akuza, ndër të cilat nëntë episode korrupsioni pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre. Veliaj i kundërshton akuzat dhe prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar.
Edhe këtu Rama nuk është përgjegjës penalisht për atë që prokuroria pretendon se ka bërë Veliaj. Por politikisht, kur një nga figurat kryesore të mazhorancës përfundon në paraburgim për një dosje të tillë, qytetari ka të drejtë të pyesë nëse kemi të bëjmë me raste të izoluara apo me një problem më të gjerë të sistemit të pushtetit.
Ergys Agasi dhe dosja që preku institucionet
Edhe rasti i Ergys Agasit është shumë më serioz sesa një histori e zakonshme kriminale.
Agasi nuk ka qenë anëtar i qeverisë, por dosja e tij ka marrë dimension institucional.
Ai është arrestuar dhe hetohet, mes të tjerash, për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, korrupsion aktiv, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.
Rëndësia politike e çështjes qëndron te fakti se Agasi krijoi një shtet paralel, emëroi drejtues institucionesh dhe përfitoi indirekt miliona euro nga tenderat publikë të AKSHI.
Vlora Hyseni, goditja në zemër të SHISH-it
Rasti i ish-drejtoreshës së SHISH-it Vlora Hyseni është ndoshta simbolikisht një nga më të rëndët.
Në shtator, GJKKO caktoi ndaj saj “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra, ndërsa SPAK e heton për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Hetimi lidhet pikërisht me kontaktet e dyshuara me Agasin.
Të thuash juridikisht se Hyseni “shkatërroi SHISH-in” do të ishte më shumë se çfarë është provuar deri tani.
Por politikisht është e pamundur të mohohet se hetimi dhe pezullimi i drejtueses së shërbimit sekret përbën një goditje të rëndë institucionale dhe reputacionale për SHISH-in.
Dhe Vlora Hyseni ishte një zgjedhje e bërë nga pushteti aktual.
Balluku, dosja që vazhdon të rëndohet
Pastaj është Belinda Balluku. Ajo ka qenë një nga njerëzit më të fuqishëm të kabinetit Rama, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zëvendëskryeministre, deri në shkarkimin e saj në shkurt 2026.
SPAK e ka marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa hetimi është zgjeruar me dyshime për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Prokuroria ka sekuestruar gjithashtu dy vila që pretendon se është janë në pronësinë e saj indirekte.
Pavarësisht se SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e saj, Balluku nuk përfundoi në arrest. Kjo çështje ka qenë një nga burimet kryesore të tensionit politik gjatë vitit dhe ka ushqyer protesta të mëparshme kundër qeverisë.
Rama mund të mos ketë përgjegjësi penale, por ka një pyetje për përgjegjësinë politike
Këtu duhet bërë dallimi që shpesh humbet në debatin shqiptar.
Askush nuk mund t’i ngarkojë Edi Ramës automatikisht përgjegjësinë penale për veprimet që prokuroria ua atribuon Ahmetajt, Veliajt, Ballukut apo personave të tjerë.
Përgjegjësia penale është individuale, por ekziston edhe përgjegjësia politike. Kush i zgjodhi ministrat? Kush i mbështeti? Kush i promovoi? Kush ndërtoi administratën dhe sistemin politik në të cilin këta njerëz morën pushtet?
Pas më shumë se një dekade në qeverisje, është gjithnjë e më e vështirë që çdo skandal të paraqitet vetëm si gabimi personal i dikujt tjetër.
Në këtë kuptim, Ahmetaj, Veliaj, Balluku dhe krizat që kanë prekur institucione si SHISH-i përbëjnë një kosto politike për qeverisjen Rama, pavarësisht rezultatit përfundimtar që do të japin gjykatat në secilën dosje.
Rama ka të drejtë kur dënon djegien e institucioneve, sulmet ndaj policisë, grabitjen e bizneseve dhe shkatërrimin e pronës publike. Por kjo është vetëm gjysma e problemit. Të ndalosh dhunën nuk do të thotë se ke zgjidhur arsyet që prodhuan protestën.
Studenti që ankohet për tarifat, i riu që nuk sheh perspektivë pune, familja që përballet me koston e jetesës dhe qytetari që sheh një seri dosjesh korrupsioni në majat e pushtetit kërkojnë një përgjigje politike.
Sfida reale për Edi Ramën sot nuk është vetëm të rikthejë rendin në rrugët e Tiranës.
Është të bindë një pjesë gjithnjë e më të zemëruar të shoqërisë se pas gjithë këtyre skandaleve, sistemi mund të korrigjohet dhe se përgjegjësia politike nuk përfundon gjithmonë te vartësi që del në dosjen e radhës./VOXNEWS
