Lajme

​“Dezinformimi s’mund të luftohet brenda natës, ai fillon me mendim kritik e gazetari të pavarur”

Sot, është bërë lansimi i raportit të monitorimit “Integriteti i Informacionit në Kosovë, janar–qershor 2026”, i organizuar nga Demokracy Technology (DemTech).

Raporti trajton zhvillimet dhe sfidat në hapësirën digjitale, me fokus të veçantë në gratë në politikë, dezinformimin dhe integritetin e informacionit.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve, diplomacisë, shoqërisë civile dhe mediave.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, tha se sfidat që lidhen me dezinformimin, polarizimin politik dhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale nuk janë vetëm problem i Kosovës, por prekin edhe vendet evropiane.

Duke folur në lansimin e raportit të DemTech, “Integriteti i Informacionit në Kosovë: Janar-Qershor 2026”, Laaksonen tha se gjatë pushimeve në Finlandë kishte hasur në raste të ngjashme të manipulimit të informacionit.

“Një video ‘deepfake’ që vendoste një deputete në një situatë komprometuese, imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale që linin të kuptohej se një deputete ishte shtatzënë, fotografi të manipuluara të politikanëve duke shijuar festivale verore. Dhe kjo ishte në Finlandë…08:34 Në Finlandë kemi mësuar që dezinformimi nuk mund të luftohet brenda natës dhe as vetëm nga qeveritë. Ai fillon me edukimin, mendimin kritik, gazetarinë e pavarur dhe shprehinë e thjeshtë për të pyetur veten nëse ajo që shohim dhe shpërndajmë është në të vërtetë e vërtetë”, deklaroi Laaksonen.

Ajo theksoi se edukimi medial është i rëndësishëm, por nuk është zgjidhje e vetme, pasi inteligjenca artificiale ka ndryshuar jo vetëm shpejtësinë me të cilën mund të prodhohet përmbajtja e rreme, por edhe mënyrën se si ajo duket.

Në fund të deklaratës së saj, ambasadorja paralajmëroi se një prej çështjeve që dëshiron ta diskutojë me deputetët e pranishëm është përdorimi i dezinformimit dhe përmbajtjeve të manipuluara ndaj grave në jetën publike.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se kërcënimet kibernetike, manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion, si dhe ngacmimet ‘online’, janë sfida serioze për demokracitë në Evropë.

Në lansimin e raportit të DemTech për integritetin e informacionit në Kosovë, Hargreaves tha se shtetet armiqësore dhe aktorët e lidhur me to po përdorin gjithnjë e më shumë dezinformimin për të dobësuar shoqëritë demokratike, për të thelluar ndarjet dhe për të dëmtuar besimin e qytetarëve.

“Asnjëra nga demokracitë tona nuk është imune ndaj kësaj. Prandaj, për ne në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë e rëndësishme të punojmë me të gjithë ju në Kosovë për këtë çështje, sepse është një çështje me interes dhe rëndësi të përbashkët”, tha Hargreaves.

Ai theksoi se qytetarët duhet të kenë qasje në informacione të besueshme, të marrin pjesë me siguri në jetën publike dhe të kenë besim në proceset demokratike.

Hargreaves u ndal veçanërisht te gjetjet e raportit për përdorimin e inteligjencës artificiale ndaj grave në politikë dhe jetën publike.

“Kam dëgjuar tepër shpesh nga gratë politikane gjatë javëve dhe muajve të fundit se si imazhet e manipuluara po përdoren për t’i tallur, frikësuar dhe dëmtuar gratë lidere”, tha ai.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i UNMIK-ut, Peter Due, tha se mbrojtja e integritetit të hapësirës informative është përgjegjësi e përbashkët dhe thelbësore për ruajtjen e paqes në Kosovë.

Due tha se UNMIK-u do të vazhdojë të monitorojë kërcënimet digjitale ndaj paqes, të mbështesë iniciativat që rrisin edukimin digjital në komunitete dhe të qëndrojë pranë gazetarëve të pavarur.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë kërcënimet digjitale ndaj paqes, të mbështesim iniciativat që avancojnë edukimin digjital në komunitete dhe të qëndrojmë pranë gazetarëve të pavarur që kryejnë punën e tyre me guxim, shpesh në rrethana të vështira”, tha Due.

Ai theksoi se ruajtja e integritetit të informacionit është e domosdoshme për mbrojtjen e paqes së arritur me shumë përpjekje.

“Mbështetja e integritetit të hapësirës informative është përgjegjësi kolektive dhe është thelbësore për mbrojtjen e paqes së arritur me shumë përpjekje”, deklaroi ai.

Çrregullimet e informacionit në mjedisin medial janë shndërruar në një çështje me rëndësi të veçantë për shoqërinë demokratike. Zhvillimet e hovshme teknologjike, veçanërisht përdorimi në rritje i Intelegjencës Artifiaciale, krahas përhapjes së dezinformimit, po transformojnë rrënjësisht mënyrën se si qytetarët qasen, konsumojnë dhe ndërveprojnë me informacionin online. 

Të Ngjashme