Një ofertë e pazakontë ka ardhur nga India për të zgjidhur një problem që prej vitesh shqetëson Kolumbinë: popullimin e pakontrolluar të hipopotamëve të sjellë dikur nga trafikanti i famshëm i drogës Pablo Escobar.
Anant Ambani, djali i miliarderit Mukesh Ambani, ka shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe për t’u kujdesur për këta hipopotamë në parkun e tij zoologjik privat Vantara, që ndodhet në shtetin Gujarat të Indisë.
Si nisi problemi?
Në vitet ’80, Escobar solli ilegalisht disa kafshë ekzotike në pronën e tij luksoze, përfshirë edhe një çift hipopotamësh. Pas vdekjes së tij në vitin 1993, kafshët mbetën të lira dhe u shumuan në mënyrë të shpejtë.
Sot, numri i tyre ka arritur në mbi 100 individë dhe ata konsiderohen një specie invazive, që rrezikon ekosistemin lokal dhe komunitetet përreth.
Anant Ambani ka deklaruar se është i gatshëm t’i transferojë këta hipopotamë në Indi, ku do të jetonin në kushte të kontrolluara dhe me kujdes profesional në një ambient të përshtatshëm për ta.
Deri tani, autoritetet kolumbiane nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare për këtë ofertë. Aktualisht, vendi po shqyrton metoda të ndryshme për kontrollin e popullatës së hipopotamëve, përfshirë sterilizimin dhe zhvendosjen.
/tiranapost
