Lajme

Dyshohet për abuzim me 3 milionë euro në Postën e Durrësit, ndalohen drejtoresha, shefja e financës dhe arkëtarja

Tre punonjëse të Postës Shqiptare në Durrës janë ndaluar nga autoritetet, pasi dyshohet se janë përfshirë në një rast të abuzimit me fondet e institucionit, me një vlerë të përllogaritur rreth 3 milionë euro.

Sipas informacioneve paraprake, të ndaluarat janë drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, drejtuesja e sektorit të financës, Valbona Hoti, si dhe arkëtarja Paola Dana.

Prokurori G. Frëngu, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, ka nisur veprimet procedurale ndaj tre punonjëseve, të dyshuara për shkelje detyre dhe parregullsi në administrimin e vlerave monetare.

Rasti u zbulua pas një kontrolli të brendshëm në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku u evidentuan mungesa të konsiderueshme financiare. Pas konstatimeve, drejtoresha e filialit u shkarkua nga detyra, ndërsa drejtuesja e sektorit financiar dha dorëheqjen.

Në një njoftim zyrtar, Posta Shqiptare bëri të ditur se verifikimet e kryera evidentuan parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimin e pagesave. Institucioni deklaroi se ka marrë masa ndaj punonjëseve përgjegjëse dhe e ka referuar çështjen pranë Prokurorisë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.

Elisabeta Mataj ishte emëruar në drejtimin e Postës së Durrësit në tetor të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Etleva Budinin, e cila më pas mori mandatin e deputetes së Partisë Socialiste.

Të Ngjashme