Analisti dhe publicisti Lirim Gashi ka publikuar një opinion me tone të ashpra ndaj politikanëve të opozitës në Kosovë, duke i kritikuar për, siç thotë ai, hipokrizi politike, manipulim dhe keqpërdorim të tragjedive njerëzore për interesa partiake.
Në shkrimin e titulluar “Djalli që po kërkon të dorëhiqet, sepse politikanët tanë të opozitës e kanë tejkaluar në djallëzi”, Gashi ndalet te kërkesat për dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla-Schwarz, duke pretenduar se ato vijnë nga njerëz që, sipas tij, kanë interesa politike dhe ekonomike.
Ai përdor një gjuhë ironike dhe metaforike për të përshkruar atë që e konsideron hipokrizi të opozitës, duke thënë se politikanët e saj e kanë tejkaluar edhe vetë djallin në manipulim dhe mashtrim.
“Por, të jemi të sinqertë: ata nuk kanë më nevojë për djallin. E kanë tejkaluar aq shumë në të gjitha disiplinat e zanatit të tij, saqë edhe vetë Kryedjalli, Shejtan Luciferi, po ta kishte qoftë edhe një fije ndërgjegjeje profesionale, do të ndihej thellësisht i poshtëruar nga kjo konkurrencë”, shkruan Gashi.
Në fokus të kritikave të tij është edhe mënyra se si partitë opozitare po reagojnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Gashi pretendon se tragjedia e saj po shfrytëzohet për qëllime politike dhe për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Sipas tij, dhimbja e familjes dhe kujtimi i viktimës duhet të trajtohen me dinjitet, e jo të shndërrohen në mjete të përplasjeve politike.
“E ndjera Arlinda Zekaj, në vend që të trajtohet me dinjitetin që meriton kujtimi i saj dhe me seriozitetin që kërkon drejtësia, po keqpërdoret prej tyre si një perde politike, pas së cilës fshihet një objektiv krejt tjetër: rrëzimi i Qeverisë së Kurtit”, thekson ai.
Gashi kritikon opozitën edhe për qëndrimet e saj lidhur me sistemin e drejtësisë, duke pretenduar se disa prej atyre që sot kërkojnë përgjegjësi institucionale kanë kontribuar më herët në ndërtimin e sistemit që tani e kritikojnë.
Ai e zgjeron kritikën edhe te qëndrimet e politikanëve ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, duke vlerësuar se mbështetja e tyre është përdorur, sipas tij, për përfitime elektorale.
Në fund të shkrimit, publicisti rikthehet te metafora e djallit, duke ironizuar politikanët që, sipas tij, mbajnë ligjërata për moralin, ndërkohë që veprimet e tyre nuk përputhen me deklaratat publike.
Shkrimi i Gashit përbën një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe mënyrës se si ajo po e zhvillon përballjen politike me pushtetin, veçanërisht në raport me rastin e Arlinda Zekajt dhe kërkesat për dorëheqjen e Donika Gërvallës-Schwarz.
