Skandali i grupeve të mbyllura në Facebook, ku pretendohet se vajza të ndryshme janë fyer dhe bullizuar vite më parë, vazhdon të shkaktojë reagime të shumta në rrjetet sociale.
Kësaj here, për këtë çështje ka reaguar edhe Fjolla Fetinci, bashkëshortja e këngëtarit të njohur Ardian Bujupi, e cila përmes një videoje në TikTok ka shprehur indinjatën e saj, duke rikujtuar atë periudhë.
Fjolla ka kritikuar ashpër personat që përpiqen të justifikojnë sjellje të tilla me moshën e re, duke theksuar se pas komenteve dhe fyerjeve në internet qëndrojnë njerëz të vërtetë, jetët e të cilëve mund të jenë ndikuar rëndë.
“Si mund të mbrojë dikush një person që për javë dhe muaj me radhë ka fyer dhe bullizuar dikë në mënyrën më të keqe në internet, duke e arsyetuar me ‘ajo ishte e re dhe të gjithë bëjnë gabime kur janë të rinj’?”, shprehet ajo në fillim të videos.
Më tej, Fjolla ka folur edhe për pasojat që, sipas saj, kanë pasur veprimet e asaj kohe, duke përmendur raste kur familjarëve të vajzave u janë dërguar mesazhe dhe janë shpërndarë fotografi e histori të pavërteta.
“Si mund të kesh guximin të dalësh para mijëra njerëzve, të ulesh para kamerës dhe të thuash gjëra të tilla, duke mos menduar se jetë njerëzish janë shkatërruar pjesërisht? U janë dërguar mesazhe baballarëve, familjarëve të grave të pafajshme, dhe janë shpërndarë fotografi e histori nga më të pavërtetat”, vazhdon ajo.
Në fund, Fjolla nuk i ka fshehur emocionet teksa ka kujtuar atë periudhë.
“O Zot, njerëz, vetëm kur flas për këtë, vetëm kur mendoj se çfarë kohe ka qenë ajo atëherë… Dhe që ka ende njerëz që e mbrojnë këtë sjellje, është vërtet e çmendur”, ka përfunduar ajo.
Reagimi i saj vjen në kohën kur kjo histori është rikthyer fuqishëm në vëmendjen e publikut, pas publikimit të disa materialeve dhe pretendimeve që lidhen me një grup të mbyllur në Facebook, ku përmendet edhe Jona Krasniqi, një nga banoret e Big Brother VIP Kosova 5.
Kujtojmë se vetëm dje, influencerja e njohur Doresa, në një intervistë ekskluzive për Prive By LS, rrëfeu për herë të parë në detaje përjetimet e saj nga ajo periudhë.
Mes emocionesh dhe lotësh, ajo ngriti pretendime për bullizim të vazhdueshëm, duke përmendur edhe Jonën si një nga personat që, sipas saj, lidhet me atë histori.
Ndërkohë, reagimi i Fjollës i shtohet diskutimeve të shumta që kanë rikthyer në vëmendje jo vetëm ngjarjet e së kaluarës, por edhe pasojat që bullizimi në internet mund të lërë te personat e prekur. /Prive By LS
