Lajme

Gashi: Astrit Dehari është vrarë

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka deklaruar para Prokurorisë Speciale se është i bindur që Astrit Dehari është vrarë, duke kundërshtuar versionin se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje kishte kryer vetëvrasje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Gashi tha se, bazuar në provat që janë në dispozicion, përfundimi i vetëm për rastin është se Dehari është vrarë. Ai gjithashtu kritikoi qasjen e prokurorëve, për të cilët pretendoi se kanë tentuar që rastin ta mbyllin si vetëvrasje.

“Epilogu i vetëm është që Astrit Dehari në bazë të provave është vrarë. Prokurorët kanë tentuar që ta mbyllnin rastin si vetëvrasje”, deklaroi Gashi.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq më 5 nëntor 2016, derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Vdekja e tij, që ndodhi në rrethana ende të kontestuara, ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa të vazhdueshme për zbardhjen e plotë të rastit.

Përgjatë viteve, familja Dehari ka kundërshtuar përfundimet fillestare të hetimeve dhe ka kërkuar drejtësi, duke insistuar në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Astritit dhe në përcaktimin e përgjegjësisë për këtë rast.

Rasti vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të ndjeshme dhe më të diskutuara në Kosovë, ndërsa familja dhe përfaqësuesit e saj ligjorë kanë kërkuar vazhdimisht që hetimet të mos përfundojnë pa u dhënë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve.

Të Ngjashme