LifeStyle

Ekspertët – Xhinset që dikur shkaktuan bujë rikthehen fuqishëm! Trendi i viteve 2000 pushton sërish modën

Nga Irena Güttel, dpaXhinset me bel të ulët janë rikthyer me një stil të ri. Modelet slim bootcut janë shumë në modë por mos i hidhni ende xhinset tuaja skinny, pasi moda ndryshon kaq shpejt, saqë mund të kaloni nga një trend te tjetri.

Të rinjtë po veshin sërish xhinse me bel të ulët, shpesh aq të ulëta saqë zbulojnë edhe pjesën e sipërme të të brendshmeve të tyre, konkretisht brezin e bokserave.

Kjo mund të na kujtojë vitet 1990 dhe 2000, por trendi i sotëm i quajtur “saggy” vjen me një veçori të re.

Ekspertët e modës na treguan se si të vishen këto xhinse këtë herë dhe pse nuk është ende e nevojshme t’i hedhim xhinset tona skinny.

Ne i njohim pantallonat ekstra të gjera, që qëndrojnë poshtë ijeve, që nga vitet 1990, thotë gazetarja e modës me bazë në Mynih, Sabine Resch.

Sipas saj, kjo ishte një “gjest solidariteti i artistëve të hip-hopit në Bronx, në kohën kur miqtë e tyre dërgoheshin në burg”. Të burgosurit duhet të dorëzojnë rripat për arsye sigurie, çka bën që pantallonat t’u varen poshtë.

“Sot ekziston një kulturë e gjallë hip-hopi dhe rap-i, dhe si përcaktues të trendeve, yjet e muzikës pop ndikojnë natyrshëm te të rinjtë”, thotë ajo.

Por sot ekziston një ndryshim thelbësor. “Në atë kohë, pantallonat kombinoheshin me bluza shumë, shumë të gjera, pothuajse deri te gjunjët”, thotë Diana Weis, profesoreshë e gazetarisë së modës në Berlin.

Tani bluzat janë më të shkurtra, duke tërhequr vëmendjen te pjesa e mesit të trupit, përfshirë edhe brezin e të brendshmeve gjë që, ndërkohë, po rrit popullaritetin e disa markave.

Britney i bëri të famshme xhinset me bel të ulët

Të rejat po veshin gjithashtu xhinset me bel të ulët, të njohura që nga vitet 2000, të cilat u bënë të famshme nga personazhe të njohura, si Britney Spears, Paris Hilton dhe Kate Moss.

Kur kombinohen me një bluzë të shkurtër (crop top), mund të duken të brendshmet e personit që i vesh – ndoshta një tanga me gurë dekorativë ose një tatuazh.

Dikur i cilësuar në mënyrë përçmuese si “tramp stamp” (tatuazh në pjesën e poshtme të shpinës), tatuazhi në këtë zonë është rikthyer. Ai e ka humbur stigmën që e shoqëronte, thotë Weis. “Të rinjtë po e rizbulojnë këtë trend për veten e tyre dhe nuk e lidhin më me të njëjtat kuptime si brezat më të vjetër.”

Pse rikthehen trendet retro? Qoftë vitet 1980, vitet ’60 apo vitet 2010, arsyeja është ndjenja e familjaritetit. “Kjo na bën të ndihemi rehat”, thotë Resch, e cila jep mësim në Akademinë e Modës dhe Dizajnit. “Është një formë arratisjeje nga realiteti, një rikthim në kohë më të mira.”

Kjo prirje përforcohet edhe nga rrjetet sociale. “Interneti është një arkiv i madh imazhesh, ku mund të gjesh lloj-lloj stilesh nga e kaluara”, thotë Weis.

Njerëzit nuk frymëzohen vetëm nga fotot dhe videot më të fundit që shpërndahen në internet. Ata marrin si modele edhe personazhe të njohura, nga yjet e muzikës pop deri te të famshmit e 10 apo 15 viteve më parë.

Moda e shpejtë mundëson ndryshime të shpejta të stilit

Por sot, tendencat e modës vijnë dhe ikin më shpejt se në të kaluarën, thotë Resch. “Ajo që në shekullin XX zgjaste një dekadë, sot ndoshta zgjat vetëm gjashtë muaj.”

Në atë kohë, industria e modës prodhonte dy deri në katër koleksione në vit; sot, numri arrin deri në 16. Kjo vjen si pasojë e modës së shpejtë (fast fashion), pra prodhimit të shpejtë të artikujve që shiten me çmime të ulëta.

Kjo do të thotë se mund ta ndryshoni rregullisht stilin tuaj, shumë më lehtë sesa në të kaluarën. “Moda është bërë rrënjësisht më e lëvizshme dhe më pak e qëndrueshme”, thotë Weis. “Njerëzit e lidhin atë më pak me identitetin e tyre, siç bënin kulturat rinore në fund të shekullit XX.”

Një ditë mund të vishni pantallona hipster dhe të nesërmen xhinse të ngushta skinny. “Për fat të mirë, ekzistojnë disa trende njëkohësisht”, thotë Resch.

Në përgjithësi, thekson ajo, nuk është e nevojshme të ndiqni çdo trend vetëm sepse është në modë. “Në fund të fundit, nuk dukeni më të rinj nëse jeni 45 vjeç, por vishni rroba për fëmijë.”

Të Ngjashme