Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se është krijuar Komisioni i ri Mbikëqyrës për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve të Kosovës.
Përmes një njoftimi, Pacolli ka theksuar se ky mekanizëm synon forcimin e mbikëqyrjes së odave profesionale, rritjen e përgjegjësisë dhe parandalimin e incidenteve në vendpunishte dhe kantiere ndërtimi.
Ajo ka vlerësuar se incidentet e njëpasnjëshme në sektorin e ndërtimtarisë, veçanërisht ato që ndërlidhen me papërgjegjësinë profesionale, nuk duhet të kalojnë pa llogaridhënie dhe përgjegjësi ligjore.
Postim i plotë:
Krijohet Komisioni i ri Mbikëqyrës për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve të Kosovës.
Incidentet e njëpasnjëshme në vendpunishte dhe kantiere ndërtimi, veçanërisht ato që ndërlidhen me papërgjegjësinë profesionale, nuk mund dhe nuk duhet të kalojnë pa llogaridhënie dhe përgjegjësi ligjore.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po forcon mbikëqyrjen, bashkëpunimin dhe llogaridhënien e odave profesionale, me synim vendosjen e rendit dhe përgjegjësisë në profesionet e arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit.
Mbështetja financiare për të dy odat, e vazhduar gjatë vitit 2026 dhe e planifikuar edhe për vitin 2027, shoqërohet me kërkesa të qarta për transparencë, përgjegjësi dhe rezultate konkrete!
Komisioni i ri do të ketë rol në forcimin e mbikëqyrjes së odave dhe në sigurimin e reagimit institucional në kohë, sa herë që paraqitet nevoja.
Së bashku me të dy odat profesionale, do të punojmë për ngritjen e standardeve, fuqizimin e profesioneve dhe garantimin e përgjegjësisë profesionale. Prandaj, ftojmë të gjithë profesionistët dhe qytetarët të bashkëpunojnë ngushtë me odat kur vërejnë se një projekt nuk është bërë në përputhje me standardet profesionale dhe ligjet në fuqi.
Profesionalizmi duhet të jetë standard, ndërsa llogaridhënia detyrim.
Papërgjegjësia profesionale nuk do të mbetet vetëm një evidentim formal, por do të pasohet me llogaridhënie dhe përgjegjësi konkrete.
Nuk do të presim që të ndodhin incidente në sektorin e ndërtimtarisë për të reaguar. Do të veprojmë me kohë, duke forcuar mekanizmat e mbikëqyrjes dhe parandalimit, në mënyrë që profesionalizmi, standardet dhe llogaridhënia të jenë parime të panegociueshme në këtë sektor.
