Donald Trump me anë të një vendimi ka bllokuar arterien kryesore të furnizimit me naftë në botë, Ngushticën e Hormuzit. Edhe pse flitej prej disa ditës një vendim i tillë pritet të ketë një ndikim në marrëdhëniet me Iranin. Ai që po i “fryn” zjarrit është Benjamin Netanyahu, i cili në një prononcim për mediat izraelite tha se armëpushimi me Iranin mund të vihet në pikëpyetje shumë shpejt.
Amerika bllokon Ngushticën e Hormuzit për anijet e Iranit. Presidenti Donald Trump njoftoi hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe lëshoi një kërcënim të fortë për zyrtarët e Teheranit.
“Marina e Iranit është në fund të detit, plotësisht e shkatërruar, 158 anije. Ajo që nuk kemi goditur është numri i tyre i vogël i atyre që ata i quajnë ‘anije sulmi të shpejtë’, sepse nuk i konsideronim shumë kërcënim. Paralajmërim: Nëse ndonjë nga këto anije i afrohet bllokadës sonë, ato do të eliminohen menjëherë, duke përdorur të njëjtin sistem vrasjeje që përdorim kundër trafikantëve të drogës në anije në det. Është i shpejtë dhe brutal”, tha Trump.
Bllokada e Ngushticës së Hormuzit është në fuqi dhe më shumë se 15 anije amerikane po kryejnë operacionin. Kështu raporton Wall Street Journal, duke cituar një zyrtar amerikan, i cili tha se në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten në shkatërrues me raketa të telekomanduara dhe disa anije luftarake të afta për të lëshuar helikopterë për të mbështetur operacionet.
Më herët, kryetari i parlamentit të Iranit tha se vendi nuk do të “dorëzohet para kërcënimeve”. “Shijoni çmimet aktuale në pompë. Me të ashtuquajturën ‘bllokadë’, së shpejti do të pendoheni për 4 apo 5 dollarë për gallon”, u shpreh, Mohammad Bagher Ghalibaf, në një postim në rrjetin social X.
Ndërkohë, sipas medias izraelite Kanali 12, kryeministri Benjamin Netanyahu beson se armëpushimi me Iranin mund të vihet në pikëpyetje “shumë shpejt”.
Shefi i qeverisë së shtetit hebre tha se foli dje me zëvendëspresidentin e SHBA-së J.D. Vance pas negociatave të dështuara me Teheranin në Islamabad të Pakistanit.
Ka interpretime kontradiktore lidhur me pengesat që nuk sollën paqe. Trump njoftoi se dështimi erdhi pasi Irani nuk hoqi dorë nga ambiciet e tij bërthamore, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit fajëson “zhvendosjen e objektivave” nga SHBA-ja.
