Bota

Elon Musk humb gjyqin ndaj OpenAI

Një juri në Kaliforni ka vendosur kundër Elon Musk në padinë e tij të profilit të lartë ndaj OpenAI dhe Sam Altman, duke i dhënë një fitore të rëndësishme kompanisë së inteligjencës artificiale në prag të planeve për një IPO të mundshme.

IPO (Initial Public Offering) është momenti kur një kompani del për herë të parë në bursë dhe u shet aksione investitorëve publikë, duke u kthyer në kompani të listuar në tregjet financiare.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, juria arriti në përfundimin se padia e ngritur nga Musk ishte depozituar jashtë afatit ligjor, duke rrëzuar pretendimet e miliarderit për “tradhti” dhe shkelje besimi nga ish-bashkëthemeluesit e OpenAI.

Musk kishte akuzuar OpenAI se ishte larguar nga misioni fillestar jofitimprurës dhe ishte kthyer në një kompani të orientuar drejt fitimit, përmes partneritetit të saj të ngushtë me Microsoft. Ai pretendonte se vizioni fillestar i projektit ishte “vjedhur” dhe përdorur për interesa komerciale.

Megjithatë, juria konstatoi se dëmet e pretenduara lidhen me ngjarje që kishin ndodhur përpara vitit 2021, duke bërë që çështja të konsiderohej juridikisht e pavlefshme për shkak të skadimit të afateve.

Vendimi konsiderohet një fitore e madhe për OpenAI, pasi largon një kërcënim të rëndësishëm financiar dhe ligjor në një moment kur kompania po përgatitet për zgjerim të mëtejshëm dhe potencialisht për hyrje në bursë.

Avokatët e OpenAI e cilësuan padinë si një përpjekje për të dëmtuar një rival në rritje, ndërsa ekipi ligjor i Musk ka sinjalizuar se do ta apelojë vendimin.

/tiranapost

Të Ngjashme