Lajme

Fabrika e municionit në Jahoc të Gjakovës – Ndërtimi akoma s’ka nisur, ministria e mbrojtjes rekruton stafin

Parcela në Jahoc të Gjakovës është bërë gati.

Në këtë zonë të Gjakovës është planifikuar ndërtimi i Fabrikës së prodhimit të municionit të standardeve të NATO-s. Ani pse plumbat e parë ‘Made in Kosova’ ishin paraparë të prodhoheshin në fund të vitit 2026, këtu nuk ka nisur as themeli i këtij objekti.

Megjithatë, këtu është vendosur sistemi i ujit dhe ai i ujërave të zeza, projekt i cili deri më tani ka kushtuar mbi 100 mijë euro.

E përkundër mungesesës së objektit, Ministria e Mbrojtjes tashmë ka hapur konkurs për rekrutimin e stafit në fusha si inxhineri e prodhim.

Nga ky dikaster, i thanë televizionit se tashmë janë në fazën e përzgjedhjes së punonjësve.

“Ju njoftojmë se aktualisht jemi në procesin e rekrutimit të stafit për Fabrikën e Municionit në Jahoc të Gjakovës. Për afatet e fillimit të funksionimit të fabrikës, si dhe për çështjet e tjera që lidhen me personelin, do të informoheni me kohë përmes kanaleve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes”, shkruhet në njoftim.

Koloneli në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hysen Gecaj, vlerëson ky projekt është duke u përcjellur me vonesa.

“Nuk mendoj që ka kuadro të mjaftueshme, mirëpo kuadrot mund të kualifikohen e të bëhen. Mirëpo, çështja është se është e palogjikshme që të hapët konkurs për punëtorët e fabrikës derisa nuk ka fabrikë gjëkundi. Kështu që krejt kjo duket si një lojë thjeshtë sa për një forcim të imazhit të politikës aktuale dhe kurgjo tjetër, sepse  konkurset dihet shumë mirë që hapen atëherë kur ekziston fabrika edhe struktura legale ligjore e cila mbështet prodhimin e municione në aspektin ligjor.  Kurse pastaj vjen puna të hapja e konkurseve për punësim, testim i atyre punëtorëve verifikimi i njohurive të tyre rreth prodhimit të municioneve sepse prodhimi i municioneve nuk është një çështje dosido dhe nuk është fabrika e municionit dosido, aty kërkohet një nivel i lartë i sigurisë”, tha Gecaj.

Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me kompaninë shtetërore turke të mbrojtjes MKE me të cilën është nënshkruar edhe marrëveshja.

Në këtë fabrikë planifikohet të prodhohen municione të kalibrit 5.56mm dhe 7.62mm, ndërsa në të ardhmen synohet edhe prodhimi i dronëve.

Të Ngjashme