Lajme

“Faleminderit Dua Lipa” – Mbështetja e këngëtares ndaj protestuesve shqiptarë raportohet nga “The Independent”

Gazeta britanike “The Independent” ka raportuar për protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se shumë prej protestuesve kanë dalë në rrugë për 46 net radhazi duke kërkuar ndryshime politike dhe një qeverisje të re, përcjell “Bota sot”.

Sipas “The Independent”, për më shumë se gjashtë javë qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit, dhe kanë marshuar drejt zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku mbahen fjalime dhe shprehen pakënaqësitë e tyre.

Protestuesit më pas vazhdojnë marshimin nëpër rrugët e Tiranës me thirrjen për një “Shqipëri të re”. Gazeta britanike shkruan se, pavarësisht lodhjes dhe temperaturave të larta, pjesëmarrësit vazhdojnë të jenë të vendosur, edhe pse ndjejnë zhgënjim që kërkesat e tyre nuk po marrin përgjigje nga udhëheqësit politikë.

“The Independent” vlerëson se një prej shqetësimeve të protestuesve është edhe rënia e vëmendjes së mediave ndërkombëtare pas kalimit të shumë ditëve të protestës.

Në këtë situatë, mbështetja e këngëtares me famë botërore Dua Lipa është mirëpritur nga aktivistët. Në podcastin e saj “Service95 Book Club”, ajo tha se e konsideron frymëzuese faktin që njerëzit vazhdojnë të dalin në rrugë çdo natë për të shprehur shqetësimet e tyre.

“Ajo që më duket vërtet frymëzuese është të shohësh se sa shumë njerëzit kujdesen, duke dalë në rrugë çdo natë”, citohet të ketë thënë Dua Lipa.

Ajo gjithashtu shprehu shqetësim për ndryshimet ligjore që prekin mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se vendime të tilla duhet të shoqërohen me konsultim publik.

Raportimi i “The Independent” vjen në një kohë kur protesta në Tiranë vazhdon prej më shumë se një muaji, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet shqiptare.

Shkrimin e plotë të “The Independent” mund ta lexoni këtu!

Të Ngjashme