Bota

Fotot zhveshur të Giorgia Meloni bëjnë xhiron në rrjet, reagon kryeministrja: Janë krijime me AI

Disa imazhe të pazakonta të kryeministres italiane Giorgia Meloni kanë shpërthyer së fundmi në rrjetet sociale, por vetë ajo ka dalë publikisht për t’i hedhur poshtë, duke theksuar se bëhet fjalë për foto të manipuluara me Inteligjencë Artificiale.

Në një reagim në rrjetet e saj sociale, Meloni publikoi një prej këtyre imazheve dhe paralajmëroi se të tilla materiale po qarkullojnë prej ditësh, duke u përdorur, sipas saj, për sulme politike. Ajo i cilësoi këto përmbajtje si të pavërteta dhe potencialisht të rrezikshme.

Fotot zhveshur të Giorgia Meloni bëjnë xhiron në rrjet,

“Këto ditë po shpërndahen disa foto të rreme të miat, të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe të paraqitura si reale. Duhet ta pranoj se në disa raste më kanë ‘përmirësuar’, por problemi është më i thellë: për të shpikur dhe sulmuar, po përdoret çdo mjet,” shkruan Meloni.

Ajo theksoi se fenomeni i deepfake përbën një rrezik serioz, pasi mund të manipulojë opinionin publik dhe të dëmtojë këdo. “Unë mund të mbrohem, por shumë të tjerë jo. Prandaj duhet të verifikojmë përpara se të besojmë dhe të mendojmë përpara se të shpërndajmë,” shtoi ajo.

Në të njëjtin postim, kryeministrja ndau edhe reagime nga përdorues të rrjeteve sociale, ku disa kishin kritikuar ashpër imazhet, duke i konsideruar të papërshtatshme për figurën e saj publike.

Nuk është hera e parë që Meloni përballet me përmbajtje të manipuluara. Edhe më herët kanë qarkulluar materiale të ngjashme në platforma online, çka ka shtyrë autoritetet italiane të ndërmarrin masa ligjore kundër përdorimit të deepfake-ve që shkaktojnë dëm.

Madje, në vitin 2024, Meloni paditi dy persona për publikimin e videove të rreme të saj në një faqe pornografike në SHBA, duke kërkuar dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh.

Rasti i saj është vetëm një shembull i një fenomeni më të gjerë: gjithnjë e më shumë gra në politikë po bëhen objekt i imazheve të manipuluara dhe përmbajtjeve të rreme të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale.

/tiranapost

Të Ngjashme